Nga shefi i garave te ata te gjyqtarëve, emrat e FSHF nën hetim se nuk dinë rregullat e vëna vetë

Pak orë më parë, policia hapi një procedim penal për administratorin e Kastriotit, Gazmend Vogli për shkak të reklamës së një kompanie bastesh që skuadra e tij ka në fanellë. Përveç Voglit, hetimet kanë nisur edhe karshi FSHF-së ose më saktë karshi delegatëve që FSHF dërgon në çdo takim për të siguruar mbarëvajtjen e ndeshjeve.

Që nga janari kur hyri në fuqi edhe ligji kundër lojërave të fatit, Kastrioti ka luajtur 5 takime zyrtare duke shkelur me të dyja këmbët ligjet e vendit. Kjo shkelje ka ndodhur në sytë e delegatëve të FSHF-së të cilët kanë lejuar skuadrën që të zbresë në fushë me një reklamë antiligjore. Në 5 takimet e luajtura, ka pasur 4 delegatë të ndryshëm, të cilët përveç 90 minutshit si delegat, kanë edhe poste drejtuese në FSHF.

I fundit që e pësoi ishte shefi i Sektorit të Garave, Lusien Nurishmi që njëkohësisht ishte delegat në takimin Partizani-Kastrioti. Ai duhej të ndalonte skuadrën që të zbriste në fushë duke qenë se vetë rregullorja e FSHF-së ia lejon që të mos e nisë takimin nëse diçka është jashtë rregullores apo ligjeve.

Në takimet e tjera, ka pasur delegatë të tjerë ku edhe kreu Komisionit të Vlerësimit të Arbitrave, Bujar Pregja ka lejuar që të luhet ndeshja Kastrioti-Skënderbeu, e nisur edhe me një sherr para takimit.

Mesa duket, vetë delegatët e ndeshjeve nuk e dinë rregulloren dhe nuk janë të qartë për rastet se kur duhet të nisë ndeshja apo të urdhërojë që takimi të mos fillojë deri në momentin kur të respektohet ligji i vënë nga shteti dhe rregullorja e vënë nga vetë ata.

Delegatët e tjerë që tashmë po hetohen nga policia nën akuzën ‘Shpërdorim Detyre’ janë:

Petrit Brahja – Luftëtari-Kastrioti (kampionat), Partizani-Kastrioti (Kupë)

Bujar Pregja – Kastrioti-Skënderbeu (kampionat)

Lusien Nurishmi – Partizani-Kastrioti(kampionat)

Uvil Zajmi – Kastrioti-Partizani (Kupë) /VipSport.al/