Merr fund makthi i Skënderbeut, as goli i portierit nuk shpëton Laçin (VIDEO)

Skënderbeu i ka dhënë fund serisë së humbjeve radhazi duke u ndalur te shifra e 6 të tillave, pasi sot ka mundur Laçin duke kthyer disi buzëqeshjen te korçarët.  Ndeshja u mbyll me rezultatin 2-1 për ekipin vendas i cili ishte më ngulmues dhe me meritë mori tre pikët që e kthejnë në vendin e katërt në renditje.

Korçarët krijuan shumë raste për shënim, por në pjesën e parë të ndeshjes nuk arritën të gjenin rrjetën. Diferencën në pjesën e dytë e bëri padyshim sulmuesi Krasniqi. Ai arriti fillimisht të kthente me kokë në rrjetë një harkim perfekt të Muzakës nga e djathta, ndërsa më pas fitoi edhe penalltinë që çoi shifrat 2-0, e ekzekutuar nga Pervan.

Në fund, Krasniqi shkaktoi edhe penalltinë që i mundësoi Laçit të shkurtonte shifrat, e ekzekutuar nga portieri Selmani. Por ajo erdhi shumë vonë për të shqetësuar korçarët të cilët kthehen përsëri te fitoret dhe kërcënojnë Teutën e Kukësin në renditje.

Për Laçin, situata bëhet disi më problematike, pasi tashmë ekipi nuk arrin jo vetëm të fitojë në vitin 2019, por edhe për të tretën ndeshje radhazi nuk gjen rrjetën në kampionat. /vipsport.al/

MINUTË PAS MINUTE

90’+3’ Mbyllet ndeshja me suksesin 2-1 të Skënderbeut.

90’ Jepen 3 minuta shtesë.

90’ GOOOL Laçi, shënon Selmani me penallti.

90’ Penallti për Laçin pas një kontakti në zonë të Gjonit me Krasniqin.

86’ Tjetër mundësi e mirë e Skënderbeut me Xhon, këtë herë gjuajtja e tij brenda zonës ndalet nga Gjoni.

85’ I sapofuturi në lojë mundohet të vulosë ndeshjen me një aksion individual, por gjuajtja e tij thuajse nga vija fundore kontrollohet me lehtësi nga Selmani.

84’ Në fushë Oto Xhon në vend të Pervan në radhët e skuadrës vendase.

82’ Okpotu mundohet vetë të gjejë rrjetën me një goditje të fortë, sfera kalon mbi traversën e portës së Dajsinanit.

81’ Laçi mundohet të rihapë ndeshjen. Okpotu dërgon rrezikshëm në zonë një rivënie anësore, por mbrojtja e korçarëve është e vëmendshme dhe zgjidh situatën. As një goditje nga këndi e kurbinasve nuksjell diccka të re.

77’ GOOOL Skënderbeu, shënon Pervat me penallti.

76’ Penallti për Skënderbeun. Krasniqi e fiton pas një kontakti në zonë me Toro e Selmanin. Asnjë dyshim për Koçin dhe protesta të vakëta të kurbinasve.

75’ Në fushë edhe senegalezi Mane për Laçin, jashtë loje Lushkja.

72’ Shehi freskon mesfushën me aktivizimin e Gripshit në vend të Muzakës.

68’ Qarkullim i kujdesshëm i topit nga Skënderbeu, me Laçin që ka tani iniciativën në përpjekjen për të barazuar shifrat.

64’ Berisha shmang dy mbrojtës dhe nis topin për Jonuzin, i cili mundohet të gjuajë fluturimthi në hyrje të zonës, topi përfundon larg katërkëndorit

62’ Laçi shënon pas një goditje dënimi me anë të Gjonit, por mbrojtësi sinjalizohet për pozicion jashtë loje.

57’ Ndryshim tjetër në radhët e Laçit, me Shtubinn që i lë vendin Berishës.

56’ GOOOL Skënderbeu, shënon Krasniqi. Krosim perfekt i Muzakës nga e djathta, Krasniqi me kokë kthen topin në rrjetë duke mos i lënë kohë Selmanit të reagonte.

54’ Ndryshon edhe Skënderbeu, në fushë Kurti për Ditën.

53’ Muzaka nis një top të ulët drejt qendrës për Krasniqin, Toro nuk i ndahet sulmuesit dhe largon rrezikun.

49’ Zëvendësim i shpejtë i Laçit në fillimin e pjesës së dytë, Okpotu zë vendin e Xhixhës në fushën e lojës

46’ Fillon pjesa e dytë, e cila tashmë shoqërohet nga reshje shiu.

45’+2’ Mbyllet pa gola pjesa e parë e ndeshjes.

45’ Jepen 2 minuta shtesë në fund të pjesës së parë.

42’ Laçi mundohet të zhvendosë trysninë para portës së Skënderbeut, por çdo tentativë për të shqetësuar Dajsininin ndalet nga prapavija e skuadrës vendase.

39’ Kristi Vangjeli bën gjithçka mirë me një depërtim në zonë në krahun e majtë. Por gjuajtja me të majtën e mbrojtësit nuk gjen katërkëndorin e Selmanit.

36’ Dominim absolut në lojë i skuadrës korçarë deri tani, që është zhvendosur e gjitha në gjysmëfushën e Laçit. Kurbinasit prej disa minutash thjesht po mundohen të largojnë topin nga zona e Selmanit pasi nuk arrijnë të krijojnë aksione sulmuese.

30’ Pervan gjen hapësirën për të goditur dhe nuk vonon me gjuajtjen nga jashtë zonës, vetëm shtylla shpëton Selmanin i cili është me fat më pas dhe nuk kthen sferën në rrjetën e portës së tij.

29’ Abazi kalon në duel shpejtësie Fangajn dhe nga e majta nis topin në qendër. Askush nuk arrin të devijojë sferën që kalon pasqyrën e portës.

27’ Sibo është lojtari më aktiv i skuadrës së Skënderbeut në këto minuta dhe provon me një tjetër goditje me kokë, këtë radhë të ndalur nga Selmani.

25’ Muzaka shfaqet në krahun e djathtë dhe harkon rrezikshëm në qendër për Krasniqin. Vendimtar Selmani me devijimin e tij duke i hequr topin sulmuesit para se të devijonte me kokë.

23’ Kundërpërgjigjet Laçi me një rast të rrezikshëm. Topi shkon në qendër për Gjonin i cili kishte dalë në ndihmë të sulmit dhe mbrojtësi gjuan direkt në kuadrat. Dajsinani reagon mirë e më pas mbrojtja largon rrezikun.

22’ Harkim në zonë për Sibo i cili propvon me kokë, tentativë që nuk gjen kuadratin.

19’ Pervan gjen hapësirën në krahun e majtë për të tentuar portën, por Selmani është i vëmendshëm edhe pse topi përplaset në tokë pak para tij.

17’ Top i gjatë drejt zonës i Taipit, Toro është përsëri vendimtar duke larguar topin para se Muzaka të përfitonte në zonë.

13’ Pervan jep një sugjerim të mirë për Abazin në të majtën, por Toro kupton gjithçka dhe largon rrezikun nga zona duke ndaluar një aksion të rrezikshëm të korçarëve.

8’ Fangaj merr fundoren në të djathtën dhe harkon në zonë për Xhixhën, Vangjeli devijon në goditje nga k7ndi para futbollistit të Laçit që gjendej në pozicion të favorshëm.

4’ Sibo përpiqet të gjuajë nga jashtë zonës së Laccit, shënjestra lë për të dëshiruar dhe sfera përfundon larg portës.

1’ Aksion i shpejtë nga krahu i djathtë i Muzakës, harkim në shtyllën e dytë për Ditën që gjuan fluturimthi por nuk gjen katërkëndorin.

1’ Fillon ndeshja në Korçë.

Skënderbeu-Laçi 2-1
56′ Krasniqi, 77′ (p) Pervat / 90’+1′ (p) Selmani

Skënderbeu: Dajsinani, Vangjeli, Sambou, Pëllumbi, Abazi, Toskiç, Dita (54′ Kurti), Taipi, Muzaka (72′ Gripshi), Sibo, Pervan (84′ Oto Xhon), Krasniqi.
Trajner: O.Shehi.

Laçi: Selmani, Fangaj, Gjoni, Toro, Sefgjini, Jonuzi, Çokaj, Eler, Lushkja (75′ Mane), Xhixha (49′ Okpotu), Shtubina (57′ Berisha).
Trajner: B.Prenga.

KV: Taipi, Sibo/ Gjoni

Arbitër: A. Koçi.

more recommended stories