Mema: Dua të rinovoj, por do të ketë ndryshime në klub

Ardian Mema e përsërit që Tirana e tij nuk i bën nder askujt përveç vetes. Pas fitores ndaj Kukësit, të shumtë kanë qenë ata që kanë deklaruar se kjo fitore ka ndihmuar shumë Partizanin. Por në “Rubrika Sportive”, Mema sqaroi se ekipi shihte vetëm veten, askënd tjetër.

“Ishte një fitore me vendin e dytë, do të thotë që kjo Tiranë po u kthehet rezultateve pozitive. Por duhet të shohim vazhdimësinë pasi duam të ruajmë këtë trend rezultatesh. Kam parë disa mesazhe në Facebook ku nga komentet që shkruanin njerëzit e tifozët, shkruanin që po i bëni nder Partizanit. Ne do të shohim ndeshjet tona, çdo ndeshje ka radhën e vet dhe mendoj se Tirana do t’i bëjë nder vetes së vet para se dikujt tjetër.

Kam qenë pak i ndjeshëm ndaj këtyre mesazheve, ne duhet të bëjmë punën tonë, të shohim veten tonë e rritemi. Të vazhdojmë rezultatet pozitive”, tha Mema.

Për mungesën e afrimeve në janar
“Ishte bisedë e gjerë mes meje dhe presidentit. I vura si kusht vetë që lojtarët duhej të bënin diferencën në të kundërt të mos afronim asnjë lojtar. Kam folur vetëm për një, Mensah donte të largohej vete nga Partizani për arsyet e tij dhe shpreha dëshirën që ta marr. Ishin edhe dy lojtarë nga jashtë Shqipërisë por nuk u arrit akordi. Janari është i shkurtër, nuk duhet të ketë nxitim se për Tiranën mund të ishin fatale, nuk mund të marrësh lojtarë që nuk bëjnë diferencën. Në këto kushte bëra punë me lojtarët që kam dhe vazhdon puna me ata që na kanë dhënë kënaqësi e shpërblyer me fitore”.

Mbijetesa apo Europa?
“Ne duhet t’i shkëputemi ende zonës së ftohtë e pastaj të shohim si shkojnë ngjarjet në vazhdimësi, nëse ka këtë trend ekipi, mund t’i afrohemi ekipeve të kreut. Por unë mendoj më shumë të keqen se të mirën e prandaj them të dal nga zona e ftohtë. Të jemi të sigurt nga ana matematikore, por është e vështirë se ky ekip ka lënë shumë pikë rrugës”.

Ndryshimet dhe pika e fortë e Tiranës
“U desh të ndryshohej fryma, më bënte çudi që gjeja duke qeshur lojtarët që në ditën e parë. Në fillim nuk më ka ndihmuar fati se humbëm shumë ndeshje. E kam menduar shumë herë të largohesha nga Tirana, por situata u kthyer në favorin tonë. Pika më e fortë tani është grupi”.

E ardhmja te Tirana
“Kam kontratë deri në fund të sezonit, duhet ta shikoj se si do të shkojë ecuria e ekipit se kjo është shumë e rëndësishme për mua. Do të shohim se si do të vazhdojmë se mendohet të bëhen ndryshime në shoqëri e ortakë e vijnë të tjerë. Janë gjëra që diskutohen në vazhdimësi. Nuk i dihet, mendoj të mbaroj këtë me sukses e shpresoj të bëjmë një kontratë afatgjatë. Kam folur me presidentin dhe besoj që mund të jem dhe vitin tjetër trajner i Tiranës. Por dua që të mbaroj këtë punë që kemi nisur”.

/vipsport.al/

more recommended stories