Legjenda e Mançester Junajtid i futet botës së trajningut, e nis nga Liga e dytë angleze

Pol Skolls do të nisë aventurën në botën e trajnigut. Ish-mesfushori i Mançester Junajtid pritet të zyrtarizohet së shpejti në krye të stolit të Old’ham Atletik, klub me të cilin, Skolls, hodhi hapat e parë në karrierën e tij si futbollist.

44-vjeçarit iu desh të merrte fillimisht një aprovim nga ana e Ligës Angleze të Futbollit, pasi Skolls ka në pronësi të tij së bashku me Rajan Gigs, Nejvill dhe David Bekam klubin e Salford Siti i cili bën pjesë në Ligën Nacionale.

Aktualisht, skuadra e Old’ham Atletik militon në ligën e dytë angleze teksa renditet në mesin e tabelës së klasifikimit. Gjithsesi, legjenda angleze duket të jetë entuziast për sa i përket sfidës së re ndërsa u shpreh ishte gati për të ndjerë sërish emocionet e një ndeshjeje. “Jam gati që të provoj dhe të arrij diçka. Nuk e di, mund të jetë edhe një dështim i madh, por dua që të ndjej përsëri emocionet e ndeshjeve dhe mendimin për të arritur një objektiv ditën e ndeshjeve”, theksoi Skolls. /Egi Çabeli-VipSport.al/