Lajmi për largimin e Durmishajt ‘tërbon’ grekët: Synoni vetëm të krijoni tension

Mëngjesin e sotëm kryefjala në mediat sportive greke, ishte arritja e akordit mes Panioniosit dhe Olimpiakosit për transferimin e sulmuesit shqiptar Fiorin Durmishaj në merkaton e verës. Mediat greke zbuluan se akordi është arritur dhe se Olimpiakosi do të duhet të paguajë 400 mijë euro për shërbimet e 22-vjeçarit.

Ky lajm, ka tërbuar klubin e Panioniosit dhe i ka detyruar që të dalin në një komunikatë për shtyp ku hedhin poshtë kategorikisht mundësinë që Durmishaj të ketë nënshkruar me një skuadër tjetër, duke e cilësuar këtë lajm si një synim për të krijuar tension te klubi.

“FC Panionios hedh poshtë kategorikisht një lajm ku thuhet se futbollisti Fiorin Durmishaj ka nënshkruar me një ekip tjetër.

Publikime të tilla, sidomos në ditën e një ndeshje kaq të rëndësishme si ajo e sotmja, synojnë vetëm të krijojnë tension brenda ekipit tonë”, shkruhej në reagimin e klubit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/