Kampionat i ri por zakon i vjetër për Ronaldon, portugezi vendos rekord në Serie A

Kristiano Ronaldo u transferua me shumë bujë këtë verë nga Real Madridi drejt Juventusit duke habitur jo pak me zgjedhjen e tij. Të shumtë ishin ata që mendonin se ylli portugez nuk do të arrinte të përshtatej në futbollin italian duke mos pasur të njëjtin rendiment si në La Liga.

Mirëpo kur sapo ka nisur faza e dytë e sezonit, luzitani ka shpërblyer më së miri besimin e drejtuesve bardhezi për ta transferuar në Torino teksa Ronaldo është golashënuesi më i mirë i “Zonjës së Vjetër” dhe i kampionatit ndërsa ka koleksionuar 18 gola. Ndërkaq, me golin e realizuar në sfidën e djeshme që Juventus fitoi ndaj Sasuolos, CR7 vendosi një rekord të paregjistruar më parë në Itali. Pesë herë fituesi i topit të artë u bë lojtari i parë që arrin të shënojë në 9-të ndeshje radhazi për sa i përket sfidave në transfertë.

Ndërkohë, nëse numërojmë golat në të gjitha kompeticionet si lojtar i Juventusit, Ronaldo është në kuotën e 20 golave. Një tjetër rekord për portugezin teksa ka arritur të njëjtë kuotë realizimesh për 13 sezonet e fundit. Statistika këto që tregojnë se edhe pse pak ditë më parë pesë herë fituesi i topit të artë festoi ditëlindjen e 34-të, sërish mbetet në majat e futbollit botëror pavarësisht kampionatit ku aktivizohet. /Egi Çabeli-VipSport.al/