Jupi: Partizani është treguar i zgjuar në merkato, kampion nuk të shpall janari

Trajneri Redi Jupi ka folur në lidhje me situatën e krijuar në Kategorinë Superiore, ku Partizani po kryeson me 8 pikë më shumë se Kukësi. Ai shprehet për ‘Procesin Sportiv’ se Partizani ka vepruar mirë në merkato, pasi në janar nuk mund të marrësh lojtarë për t’u shpallur kampion dhe këtu ka gabuar Kukësi.

“Kur folëm këtu për merkaton e janarit për skuadrat afër kreut, thamë se afrimet ndihmojnë skuadrën, por titulli fitohet me lojtarët e marrë në verë. Nëse lojtarët nuk janë në dëshirën e trajnerit, sjellin dëm. Para se të merren, duhet që trajneri të ketë një tablo të qartë. Lojtarët nuk e kanë të qartë tablonë dhe nuk e njohin mirë ekipin për të ditur të metat dhe mangësitë dhe lojtarët nuk e dinë nëse i plotësojnë. Ekipi nuk përmirësohet pasi duhet një filozofi dhe një manovër e kolauduar. Duhen vlera edhe në stol për të qenë motivues, pasi ekipet kanë dy objektiva, Kupë dhe kampionat.

Partizani ka bërë mirë pasi ka qenë skuadra më e qartë me lojë të kolauduar dhe 11 bazë. U mësua përmendësh formacioni dhe ky ishte avantazh. Skuadër që di të mbrohet mirë por kjo të jep vlerë. Afrimet ishin të studiuara dhe kundër rrymës.

Asani ka bërë mirë në këtë kampionat dhe pse jo. Asani do të përballet në Kombëtare me Roshin e lojtarë të të njëjtit pozicion. Nëse duhet një lojtar i majtë, pse jo të jetë Asani.

Tirana i bëri nder vetes dhe i hapi punë Kukësit. Tirana ka nisur të luajë mirë me Memën dhe ishte një moment që po humbnin shumë ndeshje. Tani janë me këmbë në tokë dhe i dinë limitet e vlerat e vetes. Kanë ekip që konkurron me çdo skuadër. Është Tirana më e dobët e viteve të fundit dhe të gjithë e kuptuan se ekipi është për mbijetesë. Me një humbje në dy javë të vështira, të çon prapë atje. Duke u futur me idenë ‘Jemi Tirana na duhen pikë patjetër’ është e gabuar. Kështu tha edhe Kukësi dje.

Cungu po mundohet t’i marrë maksimumin skuadrës. Kukësi nuk ishte skuadra më e mirë e dy fazave të para dhe e kishte të vështirë të mbyllte diferencën. Mesa shoh, afrimet nuk janë të dakordësuara me trajnerin. Në verë klubi funksiononte jashtë dëshirave të trajnerit, por tani trajneri e ka vetë në dorë. Te Kukësi trajneri nuk ka ende shumë në dorë”, u shpreh Jupi. /Erjon Allaraj-VipSport.al/