Intervista për “Vipsport”/ Peqini: Partizani më afër titullit, Kukësi e ka të vështirë pa tifozët

Një karrierë e nisur shumë shpejt, por edhe e mbyllur më herët nga sa mendohej, nga Roland Peqini, ish-mbrojtësi që ka luajtur në ekipe të njohura të vendit. Mes shumë traditave dhe trofeve, Peqini e ka nisur me Dinamon, për të vijuar me Kukësin, ku edhe aty një “trofe” ishte shkuarja deri në turin e katërt të Kupave të Evropës. Për të vijuar me Dinamon e Elbasanin, por edhe Tiranën, që në fakt nuk i eci. Sepse dy ditë pas firmës u dëmtua…

Peqini nuk i është ndarë fushave, tashmë ndjek një kurs special në Itali, por gjithashtu stërvit edhe lojtarë në mënyrë individuale, në sallë force por edhe në terren që mbetet pasioni I tij. Në intervistën ekskluzive për “Vipsport.al”, Roland Peqini nuk” lë pa analizuar vitet e karrierës, ekipet ku ka luajtur, por edhe mungesën e “yjeve”  dhe lojtarëve me klas që në periudhën e tij kanë qenë më shumicë…

Si të duket Partizani i këtij sezoni, në krahasim me Skënderbeun dhe rivalët e tjerë?

Shikoj një Partizan me më shumë stabilitet se vitet e tjera, ekip më i mbledhur dhe me shumë grintë. Skënderbeu nuk është me ai që kemi parë për shumë vite me radhë dhe arsyet dihen. Shoh Kukësin më afër Partizanit dhe besoj se deri në fund të sezonit do jetë një garë shumë e fortë se kush do dali kampion.

A i duhej sulmues goli apo skuadra është e aftë të fitojë titullin edhe me këtë kontigjent Partizani?

Partizani ka një sulmues shumë të mirë si Rubin Hebaj, që po ta shohim në ndeshjet e fundit ka ndihmuar shumë ekipin me golat dhe performancën e tij.

Në krahasim me rivalët, si është?    

Mendimi im personal është se avantazhi më i madh që Partizani ka kët sezon është se Kukësi i luan të gjitha ndeshjet jashtë. Nëse Kukësi do të luante në stadiumin “Zeqir Ymeri” do shikonim që renditja nuk do ishte kjo që është sot, sepse është shumë e vështirë të luash gjithë sezonin jashtë dhe pa praninë e tifozëve si në vitet kur luaja unë, apo 2-3 sezone më vonë.

Në Superiore janë rikthyer disa lojtarë të Kombëtares si: Valadet Rama, Renato Arapi dhe Aramando Vajushi. I shërbejnë ata skuadrave dhe garës apo ndodh e kundërta?!

Mendoj se të 3 futbollistët që përmendët ju, do të rrisin më shumë cilësinë dhe rivalitetin sepse të gjithë i njohim. Kam luajtur me Renaton dhe Manon (Vajushin) dhe jam i sigurt që të dy bashkë do e ndihmojnë shumë Teutën në synimet që ka këtë sezon.

 Si të duket Superiorja e sotme, me periudhën kur luaje me Dinamon dhe Kukësin?

Në vitet që unë kam luajtur me Dinamon apo dhe me Kukësin kanë qenë duke luajtur akoma futbollistë që sot i mbajmë mend shumë mirë e do t’i mbajmë mend gjithmonë, në futbollin e sotëm nuk ka më mbrojtësa si: Arjan Pisha, Nevil Dede dhe nuk vijnë më mesfushorë si: Artion Poçi, Devi Muka, Dorian Bylykbashi apo sulmues si: Sinani, Salihi, Daniel Xhafaj përmenda disa emra, por atëherë çdo ekip ka pasur futbollistë të tillë…!

Ke qenë me Dinamon e madhe që në moshën 16-17-vjeçare. Po të rinjtë e sotëm si i sheh?!E kanë mendjen më shumë në futboll apo “Instagram” e “Facebook”.

Kam ardhur te Dinamo kur isha 16 vjeç dhe atë sezon e shumë të tjera më pas, kam qenë me fat sepse isha pjesë e ekipit më të mirë në Shqipëri, kemi dal kampion në vitin 2007-2008 kemi fituar Superkupën ne vitin 2008 dhe kemi dal përsëri kampion në vitin 2009-2010. Pa shtuar dhe finalet e Superkupës apo kupës me Besën dhe Tiranën. Të rinjtë e sotëm duhet të stërviten më shumë dhe duhet t’i përkushtohen futbollit në qoftë se duan që të kenë një të ardhme të mire. Instagrami e “Facebook-u” aty është edhe mbasi ato të kenë arritur atë që duan në karrierë.

Të ka ardhur keq që e ke mbyllur me futbollin e luajtur shumë herët?!

Sigurisht që më ka ardhur keq që e kam mbyllur karrierën aq shpejtë, por duke pasur parasysh nivelin që rashë dhe kushtet që shihja në sezonet e fundit, më mirë preferova ta mbyll dhe t’i përkushtohem diçkaje tjetër që sinqerisht më ka bërë mos ta ndjej shumë mungesën e fushës së blertë…

Cilat janë pengjet e karrierës tënde?

Te them të drejtën nuk do doja ta quaja peng, por ka pasur një moment në karrierën time ku kam firmosur për Tiranen dhe ky ka qenë momenti im me i errët në karrierë, sepse 2 ditë pasi kam firmosur jam dëmtuar shumë keq në gju dhe jam detyruar të operohem e të humb atë sezon.

Ke filluar të bësh trajnerin, duke stërvitur edhe lojtarë të kombëtares si: Roshi, Vajushi….

Kam filluar që të stërvitë edhe fëmijë në Akademinë e “2AP Dinamo”, prej shume kohësh por ndërkohë vazhdoj të bëj edhe stërvitje individuale dhe t’i përkushtohem palestrës duke bërë stërvitje funksionale. Shkoj në Itali prej kohësh në “Functional training school” për të sjellë në Shqipëri diçka serioze dhe profesionale.

Ku do të jetë e ardhmja e Peqinit, biznes apo sport, apo të dyja bashkë?!

E ardhmja ime do jetë sport, po i përkushtohem një risie shumë të bukur që e bëj me pasion, sepse vetëm kështu mund të arrij aty ku dua…biznesi që unë do kem është sporti dhe do ketë vetëm profesionistë. Mendoj se një sport i tillë nuk duhet që të ketë njerëz që vijnë nga rruga, por njerëz që më parë që kanë arritur të jenë dikushi në jetë me rezultatet e arritura. Unë me shumë medalje në karrierë dhe Rudi Xhaja, një rekordmene në atletikë për 16 vjet.

Intervistoi: Erjon Saliu – Vipsport.al/