Intervista ekskluzive për “Vipsport” / Mjekja e parë femër në futboll: U shpëtova jetën dy lojtarëve, ja si qetësoj sherret në stadiume

Alma Angjo, do të mbahet mend si mjekja e parë femër në Shqipëri që ka thyer “tabu”, e madje karriera e saj do të niste pikërisht në Kategorinë e Parë, aty ku dhuna shpesh ka qenë protagoniste në vitet e fundit. Angjo, tashmë ka 4 sezone që është pjesë e skuadrës pogradecare dhe ka parë çdo fushë. Në një intervistë ekskluzive për “Vipsport.al”, Alma Angjo tregon këto 4 vite të punuari me meshkuj, mentalitetin në Shqipëri, por edhe momentet më të vështira, kur u ka shpëtuar edhe jetën lojtarëve… Alma mbetet shembulli shqiptar!

– U bën 4 sezone që jeni mjeke në fushat e Kategorisë  së Parë, tashmë si ju duket?!

Tashmë, ky është viti i katërt që kam zbritur në fushë dhe kjo është bërë pjesë e pandashme e imja. Dhe unë bashkë me stafin dhe ekipin jetoj me ankthin e çdo ndeshje. Së pari, për dëmtimet që duhen rikuperuar, gjendjen shëndetësore dhe psikologjike të gjithë ekipit. Si mund të them, jemi një familje, ku qajmë hallet së bashku, diskutojmë së bashku dhe vendosim së bashku.

– Ku e ke parë veten më ngushtë, në cilën fushë dhe ku jeni ndier më mirë?

Çdo fushë mbart një vështirësi, pasi që në çastin që fillon ndeshja kam ankth për goditjet që marrin djemtë. Situata më e vështirë ishte në miqësoren me Skënderbeun këtë fillim kampionati, ku në një sulm goditet sulmuesi në kokë. Ishte çast jashtëzakonisht i vështirë dhe ambulanca erdhi 15’ vonesë! Gjithsesi e stabilizova më herët, kjo nga ana profesionale. Ndërsa nga ana etike, në Cërrik ku një lojtar filloi të më fyente pa menduar, por prania femër qetësoi situatën. Më mirë …, kudo mirë jam ndier, pasi tashmë më njohin në të tëra stadiumet dhe më buzëqeshin apo përshëndesin!

– A duhet që të ketë mjeke femra në ekipet e futbollit në Shqipëri, apo mendoni se është “tabu”?

Mendoj se kjo tabu u “ thye” dhe mendoj që në ligën e parë të futbollit do të duhen më shumë femra, sepse e shoh që sa herë hyj në fushë bien tensionet mes lojtarëve dhe ka më shumë lojë të pastër.

– Keni pasur ftesë nga kombëtaret e futbollit?!

Po kemi diskutuar disa herë, po deri më tani akoma s’kemi vendosur dhe besoj se tek kombëtarja e femrave do të jem ndoshta në një të ardhme.

– Pse pranove të jesh fizioterapiste në një ekip meshkujsh, ndërkohë që mund të ishe pranë një ekipi volejbolli femrash apo basketbolli?!

Unë kam qenë fizioterapiste tek ekipi i volejbollit të femrave, por edhe si mjeke e ekipit kombëtar të volejbollit për të reja, ku kam marrë pjesë edhe në kompeticione ndërkombëtare. Më pas fillova një eksperiencë të re me futbollin dhe në skuadrën e qytetit tim. Nuk ishte e lehtë në fillim, pasi e para s’kishin besim se mund të bëjë një punë që e bënin vetëm meshkuj deri në atë periudhë dhe vetëm ekipi i Pogradecit beson së këtë punë më mirë e bëjnë femrat. Mendoj dhe gjykoj, se as Superliga se beson, ndoshta përderisa nuk ofrojnë asnjë femër në stafin e tyre!

Keni pasur oferta për të qenë pjesë e stafeve të ekipeve të tjera në Shqipëri?

Po, disa ekipe me kanë ofruar të jem pjesë e stafit të tyre, si në Superiore, ashtu dhe Kategoria e Pare dhe e Dytë. Por edhe në Kosovë, por për momentin ndihem mirë në  “shtëpinë” time. Ndoshta, në një të ardhme edhe mund të rishikoj ofertat.

Intervistoi: Erjon Saliu