Imami: Ndeshja e radhës? Jo, te Tirana e kanë mendjen te derbi

Te Tirana vazhdojnë të deklarojnë se e kanë mendjen të marrin ndeshjet njëra pas tjetrës, për t’u larguar sa më shpejt përfundimisht nga zona e ftohtë e për të synuar që të afrohen me ekipet që kanë para në renditje. Por në këtë periudhë të sezonit, te bardheblutë nuk mendohet aq shumë për takimin e javës së 22-të, sa për sfidën e javës së 24-t të Superiores, derbin me Partizanin.

Bardheblutë ndeshjen në javën e ardhshme me Luftëtarin, ndërsa me pas me Skënderbeun, para se të përballen me kryesuesit e kampionatit. Por mbrojtësi Eni Imami ka treguar se për të gjithë në klub që tani ka filluar të marrë rëndësi më të madhe ky derbi.

“Jam befasuar shumë nga ajo që kam parë dhe ndiere në ekipin e Tiranës që në momentin që kam shkuar aty. Pavarësisht se nuk është ndeshja e radhës, për derbin mendohet shumë jave përpara. Është vërtet një ndjesi e veçante. Mezi e pres edhe unë si lojtar për ti përjetuar këto emocione”, shpjegoi futbollisti i “Vizion Plus”.

Imami është kthyer në një element të rëndësishëm të skuadrës nën drejtimin e Ardian Memës i cili aktualisht e ka kaluar nga pozicioni i tij i zakonshëm në të majtë të mbrojtjes, në qendër të prapavijës. /vipsport.al/