Humbja ndaj Tiranës ‘tërbon’ Gjicin, mbledh stafin dhe merr vendimin për Cungun

Kukësi ka pësuar një humbje të rëndë në javën e 21 të Kategorisë Superiore, duke qenë se Tirana e nxori thuajse nga objektivi që është titulli kampion. Goli i shënuar nga Albi Doka pak minuta para fundit, i dha mundësi Partizanit që të shkëputet me 8 pikë, gjë e cila ka tërbuar presidentin e Kukësit, Safet Gjici.

“VipSport.al” ka mësuar nga burime të sigurta pranë klubit se menjëherë pas ndeshjes, numri një i stolit të Kukësit ka mbledhur drejtues të stafit teknik nga rrethi më i ngushtë dhe i ka kritikuar për ndeshjen që skuadra zhvilloi ndaj Tiranës. Tone më të ashpra ka pasur kundrejt trajnerit Armando Cungu për të cilin ka marrë edhe vendim.

Ndeshja me Teutën, është ultimatumi që Gjici i ka vënë trajnerit shkodran dhe synohet me çdo kusht vetëm fitorja në atë takim. Nëse Kukësi nuk arrin të fitojë në transfertën e Durrësit, atëherë Armando Cungu nuk do të jetë më trajner i verilindorëve duke qenë se një humbje me Teutën mund ta largojë përfundimisht nga titulli. /Erjon Allaraj-VipSport.al/