‘Heroi’ Lautaro: Erdhi koha të tregojmë se e meritojmë këtë fanellë

Interi arriti të merrte fitoren e parë në kampionat për vitin 2019, duke mundur në transfertë Parmën me rezultatin 0-1. Goli i shënuar nga Lautaro pak minuta para fundit, i ka mjaftuar Interit për të arkivuar një 3 pikësh të artë në luftën për një vend në zonën Champions.

Në një prononcim për ‘InterTV’, sulmuesi argjentinas u shpreh se kjo fitore i ka dhënë besim skuadrës dhe se futbollistët duhet të dëshmojnë se janë të denjë për të veshur fanellën e Interit. Sakaq, ai ka folur edhe për ndeshjen që skuadra luan në Europa League nga Rapidit të Vienës.

“Jam shumë i lumtur për fitoren në një fushë shumë të vështirë dhe tani duhet të kthehemi në punë për të vazhduar në këtë rrugë. E gjeta veten para portës pas një pasimi të shkëlqyer nga Naingolan dhe kisha mundësi të godisja vetëm ashtu si godita e për fat të mirë topi shkoi në rrjetë.

Në ndeshjen e Europa League duhet të dëshmojmë se jemi të denjë për këtë fanellë. Ne kemi pak ditë për t’u përgatitur për sfidën e Vjenës, por kjo nuk ka rëndësi. Duhet të bëjmë gjithçka për të fituar dhe për t’u dhënë gëzim tifozëve tanë që janë gjithmonë pranë nesh”, u shpreh Lautaro. /Erjon Allaraj-VipSport.al/