Hasani: Kalaja e Tiranës më e bukur se pedonalja e Shkodrës, nuk na shkon ajo renditje

Tirana arriti të merrte një fitore mjaft të rëndësishme ndaj Kukësit në kampionat, duke hedhur një hap të sigurt drejt mesit të artë të tabelës. Vendimtar në këtë takim, ishte goli i shënuar nga Albi Doka, por edhe Edon Hasani bëri një paraqitje të mirë në mesfushë.

I ftuar në emisionin ‘Zona Gol’ në Supersport, Hasani ka folur në lidhje me takimin që Tirana fitoi, ndërkohë që ka treguar edhe për skuadrën me të cilën ai është tifoz apo edhe ndryshimet mes Tiranës e Shkodrës.

“Kalaja e Tiranës apo pedonalja e Shkodrës? Kalaja e Tiranës duket më e bukur se pedonalja e Shkodrës. Është e bukur kalaja sepse sapo është ndërtuar, edhe Tirana si skuadër po ndërtohet për të qenë e fortë.

La Liga? Është e hapur mendoj, por unë jam, tifoz i Barcelonës dhe besoj se do të shpallet kampion.

Ndeshja me Kukësin? Kukësi nuk kishte çfarë të humbte, ndaj luajti për gjithçka, sepse Partizani kishte fituar. Ishim organizuar mirë gjatë gjithë javës dhe kishim besim se do ta fitonim ndeshjen dhe ia dolëm në fund.

Rikthim i Tiranës? Vazhdimësia është shumë e rëndësishme, gjithsesi është herët për ta thënë këtë, duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një. Duhet të shohim ndeshjen e radhës.

Mbrojtja? Duhet të punojmë  shumë në stërvitje, që të bëjmë më pak gabime në mbrojtje. Entuziazmi është rikthyer dhe kjo është e rëndësishme. Renditja aktuale nuk i shkon Tiranës, me të drejtë tifozët janë të mërzitur. Tani duhet të jemi të bashkuar.

Tifozët? Shpresoj që me vazhdimësinë e rezultateve të jemi edhe më të lidhur me tifozët”, u shpreh Hasani. /Erjon Allaraj-VipSport.al/