Gjoka: E merituam, nuk jemi satelit i Partizanit se jemi në greminë

Ernest Gjoka, trajneri i Kamzës, e ka cilësuar si të merituar barazimin e sotëm ndaj Teutës. Në fjalët e tij për “SuperSport”, ai ka deklaruar se ekipi kishte arritur të gjente motivimin për një pikë të luftuar në fushën kundërshtare.

“Padiskutim qëllimi ishte që sot të dilnim të paktën me një pikë. Kishim bërë pjesën e interpretimit të lojës duke pasur ide që ky kundërshtar ka forcë fizike, lojtarë të shpejtë dhe duhej t’i mbyllnim zonat. Kishim përgatitur ndeshjen në fazën e mbrojtjes dhe në sulm. Kishim mundësi dy herë në pjesën e parë t’i godisnim por nuk e bëmë, në të dytën kishim më pak. Kur arrin në aspektin taktik të bësh detyrat, arrin të marrësh çfarë do.

Problemet? Është bërë një pagesë, pritet edhe pjesa tjetër. Ishalla arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët që të motivojnë skuadrën se përndryshe prapë do të kemi probleme. Nëse nuk i motivon e qetëson, nëse nuk i jep atë që i takon, nuk i motivon, nuk ka arritje. Për momentin funksionon dhe skuadra është me profesionistë që bëjnë punën e tyre.

Deri në minutën e 70 skuadra bëri mirë detyrat që kishim përcaktuar. Nuk është e lehtë të ndryshosh skemat. Duhet punë për ndryshmin e fizionomisë. Jam i kënaqur me atë që bëmë.

A luajë për Partizanin? Absolutisht që jo dhe ta garantoj. Ajo skuadër që hodhëm në fushë dha maksimumin. Ne nuk bëjmë lojën e askujt, se nuk kemi kohë se jemi në greminë. Nëse bëhemi satelitë, më mirë të dalim e themi që dolëm nga kategoria.”, tha Gjoka. /vipsport.al/