FSHF hedh poshtë kërkesën e Tiranës për Kukësin, njihuni me gjyqtarët e ndeshjeve të sotme

Java e 21 e Kategorisë Superiore nisi me takimin e luajtur në ‘Selman Stërmasi’ mes Partizanit dhe Kastriotit ndërkohë që sot do të luhen edhe 3 takime të tjera të vlefshme për këtë javë. Spikat takimi që luhet në Kamëz mes Kukësit dhe Tiranës që mund të konsiderohet edhe si kryendeshja e javës së 21.

Klubi bardheblu kishte depozituar në FSHF kërkesën për të pasur gjyqtarë të huaj por mesa duket, kjo kërkesë është hedhur poshtë pasi gjyqtar kryesor do të jetë Eldorian Hamiti, i ndihmuar nga Ridiger Çokaj dhe Emigers Ganxhi. Gjyqtar i katërt i kësaj ndeshjeje, do të jetë Rudin Preca. Duke ditur rëndësinë e takimit, është vendosur të ketë edhe gjyqtarë linje dhe pas porte do të jenë Indrit Myrtja e Juxhin Xhaja.

Në Gjirokastër do të ketë një tjetër takim interesant dhe është Luftëtari vendas që pret Flamurtarin. Dy skuadrat nuk po kalojnë momente të mira dhe sot synojnë vetëm fitore. Gjyqtar kryesor i këtij takimi do të jetë Klodian Shahini i cili do të ndihmohet nga Rejdi Avdo dhe Enea Pashaj. Gjyqtar i katërt i takimit do të jetë Olsid Ferataj.

Dita e sotme mbyllet me takimin e orës 17:00 në ‘Niko Dovana’ të Durrësit ku Teuta do të presë skuadrën e Kamzës. Pas dy barazimeve radhazi, skuadra e Shkëmbit synon fitoren e parë në fazën e tretë, ndërkohë që nga ana tjetër, Kamza është e detyruar të fitojë për t’iu larguar fundit. Gjyqtar kryesor do të jetë Ardian Beqiri, i ndihmuar nga Denis Rexha dhe Dojando Myftari. Gjyqtar i katërt i takimit do të jetë Klajdi Kola. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

Luhen sot:

14:00 Kukësi-Tirana
14:00 Luftëtari-Flamurtari

17:00 Teuta-Kamza