FOTO/ Me fitoren ndaj Kukësit, rikthehen edhe tifozët: Na kënaqët zemrën, radhën e ka… Partizani

Fitorja që Tirana mori në transfertë ndaj Kukësit me rezultatin 0-1, duket se ka rikthyer besimin te tifozeria bardheblu dhe tashmë mbështetja për skuadrën është më e madhe. Kjo shihet qartësisht në numrin e tifozëve të cilët kishin mbushur tribunën mike në Kamëz, duke mos pushuar së kënduari për asnjë minutë.

Sakaq, mbështetje për skuadrën bardheblu ka pasur edhe në rrjetet sociale, pasi tifozët kanë uruar skuadrën e tyre të zemrës për fitoren duke kërkuar tashmë edhe fitore në derbin që luhet pak ditë më vonë. Ndryshe nga herët e tjera, kur në rrjetet sociale vërshonin ofendimet dhe kritikat për skuadrën, duket se rezultatet e fundit kanë rikthyer paqen.

Në fakt, afrimiteti i tifozëve me skuadrën u pa te goli i shënuar nga Albi Doka që shkoi të festonte pranë tifozëve dhe u prit mjaft mirë nga ‘Tirona Fanatics’. /Erjon Allaraj-VipSport.al/