FOTO / I ka zënë vendin Shkurtaj, Rexhinaldo: E para është skuadra, pastaj Rexhinaldo

Sulmuesi i Kukësit, Rexhinaldo, ka parë se si me afrimin e Vasil Shkurtajt, ai është kthyer në një lojtar stoli te skuadra e tij apo në funksion të lojës së sulmuesit titullar. Kjo periudhë ka përkuar edhe me mungesën e rezultateve te skuadra verilindore, e cila ka parë t’i largohet Partizani kryesues. Por vetë Rexhinaldo ka zgjedhur të mos bëjë polemika dhe këtë e ka shprehur edhe me postimet e fundit në rrjetet sociale ku ka bashkëbiseduar me tifozët.

“Unë besoj” ishte mesazhi i postuar nga Rexhinaldo, të cilit i janë përgjigjur menjëherë disa tifozë. “Shumë ndeshje zhgënjyese”, i kujtoi një tifoz. “E dimë, le të fitojmë ndeshjen e radhës”, ishte përgjigja e futbollistit të Kukësit.

Ndërkohë, një tjetër i kujtonte që të qëndronte në zonën e rreptësisë dhe të mos largohej në krah, siç ka ndodhur shpesh së fundmi me afrimin e Shkurtajt. “Të kuptoj! Por e para është skuadra dhe më pas vjen Rexhinaldo. Unë luftoj për ekipin”, ishte mesazhi i qartë i sulmuesit që nuk dëshiron të bëjë polemika. /vipsport.al/