Engin Firat nxjerr të palarat e futbollit shqiptar: Ndërhyn politika dhe racizmi, sa interesante

Drejtori sportiv i Vllaznisë, Engin Firat ka qenë i ftuar në emisionin ‘Procesi Sportiv’ ku ka komentuar gjendjen aktuale të skuadrës shkodrane që po kryeson Grupin A në Kategorinë e Parë. Ai shprehet se në Shqipëri nuk është e vështirë të punosh, por interesante ndërkohë që është ndalur dhe në të tjera çështje.

“Të punosh në Shqipëri nuk është e vështirë por interesante. Shtyhemi shumë për të bërë gjëra të vogla por probleme të mëdha.

Drejtori sportiv në Shqipëri? Këtu është një botë ndryshe pasi duke nisur nga emri drejtor sportiv duhet të merrem me sportin, por këtu unë merrem me çdo gjë nga media te ekonomia dhe duhet të merresh me shumë probleme. Këtu ka shumë influencë nga jashtë. E di që këtu flitet shumë për këto gjëra dhe sidomos politika. Shumë duan ta përdorin sportin dhe kjo e bën të vështirë punën.

Si mund të përmirësohet? Kam avantazhin që vij nga Turqia dhe kemi kulturë të njëjtë dhe mund të jetë pak më e thjeshtë. Problem kryesor është se njerëzit që merren me sportin, bërtasin dhe mendojnë se kanë të drejtë, ndërsa ata që njohin këtë fushë dhe nëse e ngrenë zërin mund të bëhen shumë gjëra. Nëse nuk përmirësohet edhe ana financiare që futbolli shqiptar të hapet në arenë ndërkombëtare dhe të kemi më shumë të ardhura, edhe klubet do të jenë më të pavarura.

Vllaznia është klub shumë i madh dhe këtë sezon mbush 100 vjeç por nuk kemi stadium, zyra dhe thuhet se është klub vetëm në letra. Çfarë ka ndodhur në këto 100 vite? Nuk duhet të shohim vetëm historinë por edhe të ardhmen.

Në qershor ka zgjedhje dhe mbështetje marrim nga Bashkia dhe njerëz që nuk kanë qasje si Bashkia, duan të prishin situatën. Edhe në gazeta ka gjëra të tilla dhe për këtë them pse. Problem është edhe që njëri ka fe apo ngjyrë tjetër. Unë qesh me këtë pjesë por është problem.

Në shumë vende ka probleme politike në sport, por këtu i bëjnë dëm vetes edhe pse duan të më bëjnë mua. Këtu i njëjti njeri dëmton veten dhe kjo nuk më duket logjike.

Partizani ka shumë vetëbesim dhe e di se ka mundësi për të shënuar dhe kjo i ep besim. Ky është ndryshimi me Kukësin, pasi ata kanë talente, kanë mundësi goli por nuk janë të sigurt se do të fitojnë ndeshjen. Partizani i këtij sezoni them se fiton titullin kampion.

VAR? Të jem i sinqertë, në këtë moment jam kundër sistemit ‘VAR”, tha Firat. /Erjon Allaraj-VipSport.al/