E bujshme/ Talenti shqiptar gati për hapin e madh, e kërkon Lioni

Numri i futbollistëve shqiptarë q ëpo shkëlqejnë në kampionatet e huaja është relativisht i madh dhe së fundmi, është talenti i AEK-ut, Gilberto Gega ai i cili ka rënë në sytë e klubit gjigand, Olimpik Lion. Mbrojtësi që aktivizohet me të rinjtë e AEK-ut shihet si një nga futbollistët më të mirë të moshës së tij në Greqi dhe kjo ka bërë që të ketë interesime.

Sipas ‘sportime.gr’, në ndeshjen e moshave mes AEK dhe Olimpiakos ka pasur në stadium vëzhgues nga klubi i Lionit dhe ka pasur reagim pozitiv për paraqitjen e mbrojtësit 17-vjeçar. Zil Ruze ishte në këtë ndeshje duke e vëzhguar mbrojtësin në takimin që u mbyll me rezultatin 0-0.

Ruze ka qenë në Greqi me porosi të trajnerit të të rinjve të Lionit, duke kërkuar që të marrë informacion më të detajuar për mbrojtësin. Mediat greke raportojnë se në datën 24 prill do të ketë edhe një takim mes një agjencie menaxheriale dhe drejtuesve të Lionit për të diskutuar në lidhje me të ardhmen e talentit, i cili mund të jetë një element i rëndësishëm edhe për Kombëtaren U19. /Erjon Allaraj-VipSport.al/