E bujshme/ Procedohet penalisht administratori i Kastriotit, nën hetim edhe FSHF-ja

Ashtu siç tashmë dihet, që nga data 1 janar janë mbyllur zyrtarisht të gjitha kompanitë e basteve në Shqipëri dhe janë shpallur të jashtëligjshme të gjitha bizneset apo reklamat që lidhen me lojërat e fatit. Kjo ka bërë që në vend, të hiqen edhe shumë reklama të kompanive të basteve që ishin edhe sponsorë të klubeve të Superiores.

Por, ky ligj nuk e ka penguar aspak Kastriotin që të luajë ndeshjet e saj me reklamimin e një kompanie bastesh nga Kina, logon e së cilës e kishte të stampuar në fanellë. Në kushte të tilla, policia ka nisur procedim penal ndaj administratorit të klubit krutan, Gazmend Vogli i cili e ka lejuar reklamimin e një kompanie që tashmë në vendin tonë konsiderohet e jashtëligjshme dhe dënohet nga autoritetet përkatëse.

Sakaq, hetim, ka nisur dhe për vëzhguesin e FSHF-së në ndeshjen që Kastrito humbi ndaj Partizanit duke qenë se duhej të ndalonte Kastriotin që të zbriste në fushë me atë logo në fanellë. Vëzhguesi i FSHF-së, Lusien Nurishmi po hetohet nën akuzën ‘Shpërdorim Detyre’ dhe pritet të ketë masa karshi tij.  Në fakt, autoritetet shqiptare janë kujtuar vonë për të vënë re këtë detaj, duke qenë se Kastrioti luajti dje ndeshjen e tij të pestë për këtë vit, përfshirë këtu 3 në kampionat dhe 2 në Kupë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/