Dy kartonë në 10 minuta, Latifi bëhet personazhi negativ i ditës te Pushkash

Merr fund seria prej dy fitoresh radhazi për Pushkash Akademi që ishte larguar nga zona e ftohtë e klasifikimit dhe për fatin e keq të Liridon Latifit, ai ishte një nga protagonistët negativë të humbjes së sotme përballë Honved.

Futbollisti shqiptar e nisi takimin nga stoli, për t’u aktivizuar në fillimin e pjesës së dytë, kur rezultati ishte 2-0 për vendasit të cilët kishin shënuar gola të shpejtë në pjesën e parë. Latifi iu afrua disa herë golit, i ndalur nga portieri kundërshtar. Por duket dëshira e tepruar për të dhënë kontributin e tij për ekipin e Pushkash, bëri që mesfushori të përfundonte duke ndihmuar kundërshtarët.

Në minutat 71 dhe 81 të ndeshjes, ai u ndëshkua me karton të verdhë nga gjyqtari e si rrjedhojë, u desh të linte skuadrën e tij me një futbollist më pak.

Kjo ia bëri më të lehtë Honved që të administronte minutat e fundit pasi Pushkash kishte shkurtuar diferencën dhe sfida u mbyll me shifrat 2-1. /vipsport.al/