Dje nuk e lanë të gjuante penallti me Laçin, luftë për 100 mijë dollarë në FIFA për sulmuesin

Antoni Okpotu ishte një nga përforcimet e fundit të Laçit në merkaton e janarit, një sulmues të cilin kurbinasit e afruan me shpresën që të mund të bëjë diferencën në kampionatin tonë edhe pse ka pak kohë ambientimi. Lojtari luajti 40 minuta në ndeshjen e djeshme ndaj Skënderbeut dhe nga ky debutim do të kujtohet për faktin se në fund të sfidës, trajneri Prenga nuk e  la të gjuante penalltinë, duke ia besuar Selmanit e larguar nigerianin nga pika e bardhë.

Mediat nigeriane kanë konfirmuar se futbollisti është vetëm në formë huazimi në radhët e skuadrës shqiptare, pas marrëveshjes me klubin që zotëron kartonin e tij, Difa El Zhadidi në Marok. Klubi i tij shpreson që ai të shkëlqejë në Europë e të sigurojë shitjen përfundimtare, edhe pse futbollisti kishte luajtur shumë pak këtë sezon për shkak të një dëmtimi.

Në Marok synojnë që të shesin sa më shpejt Okpotu, te Laçi apo ndonjë klub tjetër, pasi u duhen para për të paguar një detyrim që kanë ndaj ish-klubit të tij, Lobi Stars. Marokenët duhej të paguanin 100 mijë dollarë që në qershor për blerjen e futbollistit, por nuk e kanë shlyer këtë detyrim dhe tani çështja ka shkuar para organeve përkatëse të FIFA-s.

“Ne morëm oferta të ndryshme për huazim gjatë janarit, por në fund zgjodhëm Laçin. Ai do të jetë pjesë e klubit shqiptar deri në fund të sezonit”, shpjegoi menaxheri i futbollistit. “Laçi beson te aftësitë e tij ndërsa ai është shumë i lumtur që po kthehet të luajë”. /vipsport.al/