Cungu: Marr përgjegjësitë e humbjes, nuk kam presion dhe pres çdo vendim të klubit

Trajneri Kukësit, Armando Cungu, ka marrë përgjegjësitë e humbjes, me Tiranën, duke thënë se ai lejoi Shametin të dilte në sulm. Cungu pranoi po ashtu se është prishur fizionomia e lojës nga futja në formacion e lojtarëve të blerë në merkaton e dimrit. Trajneri shkodran tha se nuk ndihet në presion dhe se pranon çdo vendim të presidentit Gjici.

“Ndodhi ajo që po ndodh që në fillim. Ekipi nuk po bën lojëra të mira. U munduam të bënim diçka në pjesën e parë, në pjesën e dytë patëm shumë raste të shpërdoruara. Pësuam një gol ndoshta pak karambolesk, por edhe për përgjegjësi time, që të jem i sinqertë. Lejova Shametin të dilte në sulm, nga dëshira për fitore.

Titulli? Keni pyetur që ditën e parë, unë kam qenë i reze4rvuar, por nuk është se nuk e kemi synuar. Më shumë kemi folur në media për kampion, jo në fushë. Partizani ka qenë gjithmonë para me pikë, por nuk ka folur për titull kampion. Janë edhe pesë lojtarë të rinj të futur në skuadër. Deri tani nuk janë ambientuar me ekipin. Kemi prishur fizionominë e lojës dhe duhet kohë, por edhe rezultatet kërkohen.

Tension nga fitorja e Partizanit? Edhe kjo është, është e drejtë. Menduam se na duhej fitorja me çdo kusht dhe indirekt krijoi presion. Do të ishte më mirë që dy pretendentët të luajë në një ditë dhe në një orar. Kemi dy sulmuesit më të mirë në Shqipëri, Shkurtajn dhe Rexhinaldon, shpërdoroi sot edhe Rama, edhe Ethemi. Duhet kohë për t’u dhënë mundësi këtyre djemve të ingranohen me lojën.

Jam në vështirësi, sepse kemi oshilacione në lojë dhe rezultate. Nuk janë pak, është Shkurtaj, Rroca, Teqja, por edhe Rrumbullaku, pasi nuk ishte në dy fazat e parë. Janë 3-4 lojtarë të formacionit që janë futur tani në ekip. Nuk kam presion dhe pres çdo vendim të klubit. Nuk i trembem punës dhe e kam treguar veten kudo. Po luajmë gjithë kampionatin jashtë fushës sonë. Jam i qetë dhe vazhdoj të punoj. Nuk kam pasur presion dhe nuk lejoj askënd të më bëjë presion”, – tha trajneri Cungu. / Vipsport.al