Botërori mund të rikthehet në Europë, dy vende shfaqin dëshirën për të qenë organizatore

Botërori i Rusisë rezultoi të jetë një sukses vitin e shkuar, si në organizim ashtu edhe në mbarëvajtjen e kompeticionit më të rëndësishëm në kontinent. Pas Rusisë, radhën e kanë dy vende të largëta për të organizuar duke qenë se në vitin 2022 është Katari ai i cili do të mirëpresë këtë event, ndërkohë që në vitin 2026, treshja Amerikë-Meksikë-Kanada do të kenë fatin.

Mesa duket, pas 12 vitesh që nga Rusia, Botërori do të rikthehet edhe njëherë tjetër në Europë. Këtë radhë janë Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda ato të cilat duan që të organizojnë Kupën e Botës në vitin 2030. Kjo dëshirë e këtyre vendeve, pritet që së shpejti të konkretizohet me një kandidaturë konkrete duke qenë se 5 federatat janë dakord për këtë.

Anglia, Skocia, Uellsi, Irlanda e Veriut dhe Republika e Irlandës kanë dhënë miratimin e tyre. Qeveria britanike e sheh si një mundësi të mirë për të treguar edhe njëherë tjetër veten si një forcë botërore pas daljes nga Bashkimi Europian dhe me çdo kusht do të kërkohet ky organizim. Parashikohet që në vitet në vijim, të ketë edhe ndërtim stadiumesh për ta bërë më të sigurt fitoren. /Erjon Allaraj-VipSport.al/