Albi Doka tregon ndryshimet mes Ze Marias dhe Memës: Jemi Tirona, shohim lart në klasifikim

Albi Doka ishte heroi i Tiranës në fitoren që skuadra e tij arriti të merrte ndaj Kukësit. Ai shënoi golin e fitores vetëm pak minuta para fundit, duke i dhënë kështu bardhebluve një fitore shumë të rëndësishme. Në një intervistë për ‘VipSport.al’, mbrojtësi i Tiranës u shpreh se Tirana nuk mendon më mbijetesën, por sheh lart në klasifikim, duke krahasuar edhe trajnerët e këtij sezoni.

Albi, një gol që përkthehet në 3 pikë. A diskutohet te Tirana tashmë Europa, apo mbijetesa mbetet kryefjalë?
Objektivi ynë nuk është më zona e ftohtë dhe as që e mendojmë atë gjë sepse jemi Tirona. Duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të shikojmë sa lart mund të shkojmë. Besoj shumë te ky ekip dhe te çunat.

Ndryshe nga Ze Maria, me Memën po shënon gola të rëndësishëm. Çfarë ka sjellë ndryshe Ardi?
Profesor Ardi i do maksimumin të gjithë lojtarëve dhe na motivon shumë që ne të japim maksimumin. Shpresoj të bej sa më shumë gola për këtë fanellë.

Festove me tifozët golin e fitores. A ke ndonjë mesazh për ‘Tirona Fanatics’?
‘Tirona Fanatics’ normal që duhet ta mbështesin skuadrën pavarësisht çdo situate në të cilën është Tirona sepse lojtarë-tifozë duhet të jemi bashkë dhe së bashku ia dalim.

Po afron derbi, preferon gol dhe humbje apo fitore pa gol?
Sa i përket derbit, më shumë do të preferoja një fitore pa marrë parasysh se kush e shënon golin e fitores. /Erjon Allaraj-VipSport.al/