Ahmataj nuk kërkon justifikime: Javën e kaluar kishim më shumë mungesa

Luftëtari duket se është kthyer në rrugën e duhur me fitoren e rëndësishme që mori në Laç, duke u larguar disi nga zona e ftohtë e klasifikimit. Megjithatë, gjirokastritet duan që të marrin frymë edhe më të qetë ndaj do të kërkojnë pikë edhe ndaj një skuadre e cila nuk po kalon një moment aq të mirë, Flamurtarit. Sipas trajnerit Julian Ahmataj, forma e skuadrës nuk do të thotë asgjë, pasi ekipet duhet të tregojnë në fushën e lojës që e meritojnë çdo pikë, pa bërë asnjë llogari para saj.

“Në një ndeshje futbolli, skuadra tanimë i ka marrë sinjalet që duhet të luftosh shumë që ta fitosh dhe në fund të bësh një llogari. Por para ndeshjes nuk mund të bëjë askush llogari apo te jetë euforik, jemi munduar që të qëndrojmë me këmbë në tokë pasi na pret një ndeshje shumë e vështirë.

Mungesa kemi, edhe në ndeshjen e kaluar kemi pasur mungesa, edhe më shumë se kemi këtë javë. Mendoj që lojtarët që kemi në dispozicion për të përballuar ndeshjen, do të japin maksimumin, do të bëjmë më të mirën për këtë ndeshje”, deklaroi ai në konferencën e sotme për shtyp.

“Siç e kam thanë edhe në ndeshjen e parë, nuk shkojmë për barazim ose rezultat negativ, ne gjithmonë do të shkojmë për rezultat pozitiv, do të bëjmë maksimumin. Rezultati do t’i përgjigjet asaj që japim në fushën e lojës”, ishte mesazhi i qartë i Ahmatajt. /vipsport.al/