VIDEO / Tjetër gol për “të harruarin” Andoni, largon AEL Larisa nga zona e ftohtë

Pas golit në Kupë ka ardhur edhe goli në kampionat për Fatjon Andonin, i cili po bëhet protagonist absolut në këtë sezon me skuadrën e AEL Larisës. Mesfushori shqiptar, i cili vazhdon të lihet në harresë nga stafi i përfaqësueses kuqezi, po luan shumë rregullisht dhe në paraqitjet e fundit ka gjetur me vazhdimësi edhe rrugën e rrjetës.

Sot, ai la gjurmë në një sukses shumë të rëndësishëm 3-0 në kampionat të skuadrës së tij përballë Smirnis. Andoni shënoi golin e avantazhit që në minutën e 6 të ndeshjes kundër skuadrës në të cilën është pjesë ish-mesfushori i Shpresave, Klodian Gjino. Për ekipin e Andonit, ky gol i shpejtë bëri më të thjeshtë ndeshjen dhe më pas gjeti rrjetën dy herë me anë të Nuniç në pjesën e dytë për të siguruar tre pikët dhe për t’iu larguar thuajse përfundimisht zonës së ftohtë të klasifikimit ku gjendet aktualisht Smirnis, që mban vendin e fundit në renditje.

Goli nuk është “specialiteti” i Andonit, i cili është më shumë një mesfushor me tipare mbrojtëse i cili shquhet për agresivitetin e tij. Këtë e tregon më së miri fakti se në 60 ndeshje që ka luajtur me AEL Larisa në 3 sezonet e fundit, është ndëshkuar 30 herë me karton të verdhë. /vipsport.al/

more recommended stories