VIDEO / Surprizë në Kupën e Ligës, djali i Turam eliminon PSG-në

PSG i ka dhënë që tani lamtumirën një prej objektivave sezonalë, Kupës së Ligës. Skuadra e cila dominon lehtësisht kampionatin francez prej shumë vitesh, sot ka njohur një humbje të paparashikuar në fushën e saj, ku është mposhtur nga Gingamp me rezultatin 2-1 me një gol në shtesë të ndeshjes.

Parisienët mendonin se do ta kishin të thjeshtë, ashtu si gjithmonë në këto vite të fundit falë aftësive të emrave si Nejmar e Mbape. Por sinjali i parë shqetësues erdhi kur pjesa e parë u mbyll pa gola e në të dytën, Tuhel hodhi me shpejtësi në lojë Verrati e Kavani. Pro Gingamp rrezikoi disa herë dhe arriti të fitonte një penallti, të cilën Markus Turam, djali i ish-futbollistit francez Lilien Turam, e shpërdoroi duke e gjuajtur jashtë.

Pak minuta më vonë, Nejmar gjeti avantazhin dhe dukej se gjithçka do të buzëqeshte si gjithmonë për parisienët. Por fundi i ndeshjes dhuroi ‘fishekzjarrë’ dhe dy penallti të tjera radhazi për Gingamp. Fillimisht N’Gbakoto barazoi shifrat në 1-1 me atë të minutës së 81-të, ndërsa në minutën e 93-të, ishte përsëri Turam ai që shkoi te pika e bardhë. Këtë herë sulmuesi nuk gaboi duke mposhtur Areola dhe siguruar kualifikimin e skuadrës së tij në gjysmëfinalet e turneut. /vipsport.al/