VIDEO / Strakoshës i bëhen makth penalltitë, por Lacio kalon në Kupë

Thomas Strakosha do të jetë i detyruar që të bëjë një stërvitje të veçantë për penalltitë, pasi skuadra e Lacios është “abonuar” me to. Në rikthimin në fushë për ndeshje zyrtare të lacialëve, në Kupën e Italisë ndaj Novarës, portieri shqiptar është dashur të vihet përsëri të vihet përballë një gjuajtje nga pika e bardhë. Kjo rezulton të jetë hera e tretë në 4 ndeshjet e fundit tqë Lacio shkakton penallti dhe për fatin e keq të Strakoshës, topi përsëri përfundoi edhe sot në rrjetë.

Megjithatë, këtë herë goli nuk ndikoi në fatin e ndeshjes, pasi Lacio mundi me shifrat e thella 4-1 ekipin e Novarës dhe kaloi në çerekfinalet e Kupës së Italisë. Golat e Luis Alberto, Imobile (2) dhe Milinkoviç-Saviç bënë të qartë që në pjesën e parë se kjo ndeshje nuk do të kishte përfundim tjetër përveç kualifikimit të Lacios, ndërsa penalltia e realizuar në pjesën e dytë nga Eusepi shërbeu thjesht për statistikë dhe për të nervozuar Strakoshën i cili në këtë periudhë e ka të vështirë të ruajë të paprekur portën në ndeshje ku skuadra e tij shkakton penallti.

Tanimë Lacio pret të mësojë se cili mes Interit dhe Beneventos do të jetë rivali i radhës i tyre në turneun ku zakonisht skuadra kryeqytetase ka ecur shumë në vitet e fundit. /vipsport.al/