VIDEO/ Rrëfimi i Manajt pas dëmtimit horror: Nuk mbaja mend asgjë, askush nuk duhet të fajësohet

Rei Manaj e ka kaluar dëmtimin e rëndë që pësoi në ndeshjen ndaj Granadës, duke u detyruar që të zëvendësohet në minutën e 23 për shkak të një përplasjeje me një nga ish-shokët e skuadrës së tij të sezonit të shkuar. Nga goditja në kokë, Manajt i është thyer kocka e hundës, ndërkohë që ka dëmtuar edhe nofullën.

Megjithatë, vetëm sulmuesi lushnjar është shprehur se në futboll ndodhin incidente të tilla dhe se askush nuk duhet fajësuar. Në një prononcim për mediat spanjolle, ai u shpreh se kanë shkuar disa futbollistë të Granadës për ta vizituar dhe se për dëmtimin e pësuar, nuk ka faj futbollisti gjerman.

“Kanë ardhur për të më vizituar 5-6 shokë që i kam pasur në skuadër vitin e kaluar dhe u kam thënë se gjermani nuk kishte faj, pasi në futboll këto janë gjëra që mund të ndodhin.

Kam dëmtuar dhëmbët dhe kam disa shenja që duan 7-8 ditë të hiqen, por mund të kishte përfunduar edhe më keq se kaq. Nuk mbaj mend asgjë nga momenti i dëmtimit, por e kam parë videon në telefon dhe falënderoj Zotin që përfundoi me aq.

Falënderoj tifozët e Albasetet për mbështetjen që më kanë dhënë gjatë kësaj kohe dhe ndjej se duhet të jem i gatshëm sa më shpejtë për të ndihmuar ekipin tim. Do të stërvitem që të luaj që të shtunën në ndeshjen e radhës, edhe pse është me rrezik. Megjithatë, po nuk rrezikove, nuk fiton asnjëherë”, u shpreh Manaj. /Erjon Allaraj-VipSport.al/