“Ultimatumi” i Gjicit, Nexhipi: Investon shumë e pret rezultate

Afrimi i Vasil Shkurtajt dhe Eduard Rrocës ka shtuar alternativat cilësore për skuadrën e Kukësit, por edhe përgjegjësinë që ka tashëm stafi teknik për të kthyer përsëri te kjo skuadër titullin kampion. Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, bëri të qartë se nuk priste më justifikime deri në mbyllje të sezonit pasi kishte sjellë lojtarët më të mirë dhe tani donte rezultate.

“Ambiciet e presidentit Gjici e gjithë Shqipëria i di. Ai është president i cili në çdo moment, në çdo ndeshje kërkon maksimumin, bën shumë për ekipin, investon shumë e pret rezultate. Me këto dy blerje në janar kemi sjellë shumë kualitet. Njohin Superioren dhe në vitet e fundit janë lojtarë që kanë bërë diferencë në ekipet e tyre”, tha drejtori sportiv i Kukësit, Nderim Nexhipi në “Zona Gol”.

“Afrimi i tyre është ide e gjithë stafit, e dimë që në janar është e vështirë të gjenden lojtarë të lirë. Kishim fatin që presidenti arriti akord me atë të Luftëtarit dhe afroi këto lojtarë. Mendoj që presidenti kërkon çdo herë maksimumin dhe të gjithë, lojtarët e stafi janë të vetëdijshëm dhe do të bëjmë më të mirën për titullin kampion.

Normalisht shfrytëzuam një moment që Luftëtari kishte probleme financiare sidoqoftë më e rëndësishme është që lojtarët janë pjesë e Kukësit. A luan Rroca përkrah Shafik në formacion? Shafik ka treguar që është lojtar me karakteristika me cilësi shumë të mira. Është trajneri ai që do të vendosë për formacionin por mendoj se në ekip ka vend edhe për Rrocën e Shafik. A është ai sistem apo një tjetër, do të shihet në varësi të ndeshjeve”, tha Nexhipi. /vipsport.al/