Tjetër interes nga Kina për të blerë Interin, presidenti i vë çmimin stratosferik

Kur të gjithë po kritikojnë Interin në lidhje me drejtuesit dhe presidencën kineze, mediat italiane kanë dhënë sot një lajm të bujshëm që lidhet me një tjetër interesim nga Kina. Sipas prestigjiozes ‘Il Messaggero’, në zyrat e presidentit Zhang Jindong ka mbërritur një ofertë nga Hong Kongu për të blerë aksionet e klubit zikaltër.

E njëjta gazetë italiane, nuk bën me dije shifrën që është ofruar, por raporton se flitet për shuma të konsiderueshme e megjithatë, vetë presidenti e ka hedhur poshtë kërkesën për të shitur klubet. Ai duket se i ka idetë e qarta dhe kërkon që nëpërmjet Interit dhe fitimit të trofeve, të arrijë të krijojë edhe një imazh tjetër marketingu, e më pas të mendojë vetëm shitjen e klubit.

Sakaq, ka pranuar se negociatat për shitjen e Interit mund të fillojnë edhe që ditën e sotme, por ka një kusht të rëndë. Ai kërkon që të paraqitet fillimisht një ofertë që kap vlerën e 800 milionë eurove dhe pasi të ofrohet kjo shumë, mund të nisin negociatat për shitjen e aksioneve. Kujtojmë që Zhang Jindong ia la presidencën e klubit djalit të tij, Steven Zhang pasi arriti t’i merrte aksionet nga Erik Tohir. /Erjon Allaraj-VipSport.al/