Teuta paralajmëron dhe i bën thirrje tifozëve: Vjen një sulmues më i mirë se Latif

Teuta ka zyrtarizuar shitjen e sulmuesit dhe golashënuesit më të mirë të Superiores, Amadu Latif në Bjellorusi te skuadra e Shakhtjor Soligorskut, aty ku bashkohet me Elis Bakajn. Ky lajm, nuk është pritur mirë nga tifozët bregdetarë, të cilët kanë reaguar ndaj klubit, duke kërkuar llogari në lidhje me këtë transferim, pasi objektivat e klubit janë të larta këtë sezon.

Megjithatë, drejtuesit duket se i kanë idetë e qarta dhe i kanë kërkuar tifozëve që të mos shqetësohen për këtë transferim, duke qenë se po pritet një sulmues që është edhe më i mirë se Amadu Latif.

“KF Teuta i bën thirrje tifozëve qe të mos mërziten për largimin e golashënuesit dhe sulmuesit më të mire te kampionatit Amadu Latif duke i siguruar ata për ardhjen e një sulmuesi akoma me cilësor që do të ndihmojë ekipin ne arritjen e objektivave”, shkruhej në postimin e Teutës në rrjetin social ‘Facebook’. /Erjon Allaraj-VipSport.al/