Takaj: Gavazaj e ka derën e hapur, të gjithë e dimë kush e dënoi Skënderbeun

Presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, ka bindjen e plotë se edhe skuadra e tij do të jetë një pretendente për titull në pjesën e dytë të sezonit dhe kushdo që e sheh ndryshe, gabohet rëndë. Numri 1 i skuadrës korçare, në një intervistë të dhënë për RTSH, ka treguar se rivaliteti i këtij kampionati mund të bëjë që për pak javë, diferenca me Partizanin e vendit të parë të zhduket plotësisht.

Z. Takaj, çfarë po ndodh me Skënderbeun këtë vit?
Nuk është se po ndodh ndonjë gjë, është normale në futboll. Një ekip nuk mund të dominojë për 10 vite radhazi pa një ulje-ngritje të vogël. Dihej që Skënderbeu këtë vit do të kishte probleme se normalisht ikën 10 lojtarë formacioni nga ekipi. Të zëvendësohen nga të rinjtë, edhe pse ata kanë të ardhme, nuk është e thjeshtë, ata duan kohën e vet. E filluan shumë mirë kampionatin, por në momentet e fundit… 4 ndeshje janë shumë për ekipin e Skënderbeut, por ndodh në futboll. Futbolli prandaj është i bukur se është i paparashikueshëm. Ne duhet të shohim përpara, ekipi është aty, gjithçka e ka në këmbët e veta deri në fund të kampionatit.

Jeni 7 pikë larg kryesuese. A keni humbur shpresat për titull?
Jo absolutisht, ne nuk heqim dorë nga titulli kampion. Nuk është Skënderbeu nga ato ekipe që heqin dorë apo largohet nga gara kaq kollaj sa do ta mendojë dikush. Do të jetë gabim i madh për ata që mendojnë se Skënderbeu është larg titullit. Duke parë kampionatin, nivelin e këtij viti, mendoj se 7 pikë nuk është ndonjë gjë e madhe. Kjo pasi ekipet janë përforcuar shumë, ndeshjet janë të paparashikueshme. Janë 6 ekipe që luftojnë për kreun dhe janë të tjerat që luftojnë fort për mbijetesë dhe kjo do ta bëjë shumë të bukur e të luftuar garën. Këto pikë që duken shumë sot, mund të jenë për katër javë shumë pak, se mund të përmbysin gjithçka. Do të jetë shumë e vështirë që një ekip të vazhdojë rrugën i pathyeshëm në këtë kampionat.

Në fund të dy fazave të para e keni bërë analizën tuaj. A ka ndonjë lojtar që ju ka kënaqur më shumë dhe të tjerë që ju kanë zhgënjyer për pritshmëritë që kishit?
Nuk është se ka zhgënjime për lojtarët. E filluan shumë mirë, krijuan besimin edhe të trajnerit e tonin. Filluam vitin mirë, faza e parë ishte shumë e mirë, Por problemi ishte që një pjesë e këtyre lojtarëve nuk  mbajtën fazën e dytë. Nuk e di arsyen, ndoshta mosha e re, eksperienca, fati, pak nga të gjitha, edhe disa mungesa që kishim në ndeshjet e fundit. Skënderbeu nuk ka një stol të konsoliduar shumë të fortë siç ka pasur në këto vite. Ai dha rezultatet e veta.

Çfarë prisni nga dy fazat e mbetura?
E rëndësishme është të jemi seriozë dhe të fillojmë kampionatin aty siç e nisëm fazën e parë, të jemi po ai Skënderbe dhe të japim maksimumin. Nëse ne do të japim maksimumin në fushë, ne do të jemi ekip i rrezikshëm për çdo kundërshtar. Aty është Skënderbeu i vërtetë, Skënderbeu në rast se do të ketë pak ulje të ritmit, është problem për këtë ekip që kemi sot. Se ekipet e vjetshme e parvjetshme edhe nëse ulnin ritmin dinin ta menaxhonin e fitonin ndeshjen. Kurse këta nuk kanë as eksperiencën e as kualitetin aq të lartë, por nëse japin 100% të tyre, janë ekip shumë i fortë dhe i mirë, ekipi më i fortë në Superiore.

Në kohë merkatoje, ka qenë zakonisht Skënderbeu “mbreti” ndërkohë që tani nuk po dëgjohet ndonjë gjë e re. A do të ketë afrime në merkato, ndonjë dhuratë për Shehin?

Janë 2-3 lojtarë që po punojmë, po mbyllim marrëveshjet me ta. Por mos pritni shumë, merkato e janarit është vetëm një zhurmë e madhe se nga eksperienca që kemi këto vite, kemi bërë shitje shumë të mëdha, kemi bërë edhe shpenzime të mëdha për të afruar lojtarë në janar dhe ka qenë pa rezultat. Kjo sepse siç është kampionati shqiptar, janë të gjithë kampionatet në botë, në këto momente asnjë nuk i lëshon lojtarët e mirë. Duhet të shpenzosh shumë. Nëse ke para për të blerë, mund të bësh merkato, nëse nuk ke, lojtarë të lirë që mund të gjesh në Europë nuk është se të ndihmojnë shumë. Janë për të mbyllur gjëra të vogla. Ne do të shpenzojmë por brenda limiteve, sepse pritshmëria për të shpenzuar në janar është gabim, I kemi vuajtur këto eksperienca në kurriz dhe kemi mësuar nga këto gabime të të shkuarës.

A do të afrohet Gavazaj në janar dhe a do të largohet Aliti?
Gavazaj është lojtar i Skënderbeut, është i huazuar te Jenisei. Nuk e di si shkojnë gjërat, por megjithatë Skënderbeu është ekipi i Gavazajt. Për momentin nuk është gjë në dorën tonë. Nuk e di si mund të shkojë huazimi, nuk kam informacione. Por nëse do të kthehet, është dera e hapur për Gavazajn. Aliti është në merkato, jemi në bisedime me disa ekipe por këto blerjet dhe shitjet duan kohën e vet se varet nga blerësi, jo shitësi.

Ju mbeteni një nga personat më optimistë sa i përket gjyqit të KAS. Avokatët me të cilët keni folur ju kanë dhënë shpresa për falje të dënimit apo për ulje të dënimit?
Ky është një dënim fantazmë se nuk ekziston në botën e futbollit, filloi me Skënderbeun pa asnjë provë e asgjë. Edhe UEFA e di shumë mirë, që nga krerët më të lartë e dinë shumë mirë situatën se si është dënuar e kush e ka dënuar Skënderbeun. Koha do t’i nxjerr të gjitha. Ne nuk shkojmë për ulje, por vetëm për të fituar çështjen në KAS dhe do ta fitojmë.

Nëse nuk do ta fitojë titullin Skënderbeu, kë do të dëshironit të shihnit në fronin e kampionit?
Do të më vinte mirë që gara të shkoj normalisht, pa probleme deri në fund dhe ta fitojë kush të jetë ai që ta meritojë deri në fund.

Pse thoni që të shkojë pa probleme, i druhen ndonjë gjëje?
Nuk është se i druhem, por janë shumë rivalë për titullin këtë vit. Ndaj gara do të nxehet dhe në fazën e katërt do të jetë shumë e nxehtë. Shpresoj të shkojë shumë mirë dhe ta fitojë më i forti, të mësohemi edhe ne pa tensione, pa nerva, le të fitojë më i miri. Kjo është shumë e rëndësishme për kampionatin. I preferuari? Aq shumë sa dua Skënderbeun, nuk mbetet asnjë përqindje për të tjerët. Shpresoj në një garë të ndershme këtë vit dhe të fitojë më i miri.  /vipsport.al/