Spaleti tallet me zërat për Murinjon: Për 18 muaj Interin e duan më të mëdhenjtë

Luhatjet që ka pësuar Interi gjatë periudhës së fundit ka bërë që të vihet vazhdimisht në diskutim edhe vazhdimësia e Luçiano Spaletit në drejtimin e zikaltërve. Mediat italiane spekulojnë prej kohësh që Bepe Marota si objektiv të parë ka largimin e teknikut dhe një prej emrave më të lakuar mbetet gjithmonë ai i Zhoze Murinjos.

Por vetë trajneri aktual i Interit e ka përjetuar me shumë qetësi këtë situatë dhe për më tepër është munduar që të ironizojë me ata të cilët e shohin portugezin pranë pankinës së Interit, duke i kujtuar se kur mori ai drejtimin e skuadrës, askush nuk i kishte edhe aq shumë qejf zikaltërit.

“Objektivi? Ai është që të vazhdohet të drejtohet një Inter gjithmonë më i fortë, një Inter i cili arrin nivele rendimenti të vazhdueshëm kundër çdo skuadre.

Zërat për Murinjon? Është diçka që e cilësoj të drejtë, pasi falë këtyre 18 muajve Interi është kthyer në një skuadër që e dëshirojnë lojtarët dhe trajnerët më të mirë në nivelin evropian. Para 18 muajsh as që do të flitej për këtë gjë”, deklaroi Spaleti. /vipsport.al/