Sot mori besimin e klubit, Guri shënon në miqësoren ndaj Utreht

Dita e sotme mund të cilësohet si shumë pozitive për sulmuesin e përfaqësueses shqiptare, Sindri Guri, Lojtari i cili u transferua gjatë verës te Ostende ka filluar mirë vitin dhe ka dhënë rezultatet e para pozitive në fazën përgatitore që klubi i tij po zhvillon në Spanjë.

Lojtari sot paradite mori besimin e klubit, pasi drejtori Hugo Bros konfirmoi se nuk do të largonte djaloshin nga radhët e tij dhe besonte se do të fillonte të gjente rregullisht rrjetën pasi i kishte aftësitë ta bënte një gjë të tillë. Guri është përgjigjur në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shënuar dhe ndihmuar ekipin e tij të fitonte miqësoren ndaj Utreht.

Në ndeshjen e sotme, Guri u aktivizua në pjesën e dytë të takimit ndaj holandezëve, kur shifrat ishin 0-0. Ai fillimisht shpërdoroi një mundësi të mirë me një goditje dënimi, ndërsa kur shënohej minuta e 78, shënoi golin që vulosi fitoren 2-1 për ekipin e tij me një gjuajtje të bukur me kokë. Ky gol mund t’i japë më shumë qetësi sulmuesit shqiptar i cili me votëbesimin e klubit mund të punojë i qetë në pjesën e mbetur të edicionit për të treguar vlerat e tij e rifituar një vend mes titullarëve. /vipsport.al/