Solskjaer pranon rivalitetin me Poketinon, te Molde janë të bindur: Kemi kontratë me klubin

Ole Gun Solskjaer e ka rikthyer edhe njëherë Mançester Junajtidit në një skuadër të frikshme për çdo kundërshtar, pasi në kohën e Murinjos, ‘Djajtë e kuq’ i humbnin ndeshjet shumë lehtë. Megjithatë, në shtëpinë e Junajtidit situata është e paqartë në lidhje me të ardhmen e teknikut norvegjez, duke qenë se te Molde e duan sërish mbrapsht.

Në lidhje me këtë situatë, ka folur vetë menaxheri i Moldes, Oistein Nirland i cili shprehet se klubi i tij ka një kontratë me Mançesterin dhe kjo kontratë, i detyron anglezët që në maj të rikthejnë Solskjaerin te ish-skuadra e tij.

“Marrëveshja është deri në datën 12 maj. Kemi një plan A dhe një plan B, por nuk kemi menduar për një plan C. Ne kemi folur me Junajtidin për periudhën janar-maj dhe nuk se çfarë diskutojmë më tepër. Në maj, presim rikthimin e Solskjaer”, u shpreh menaxheri.

Ndërkohë, edhe vetë Solskjaer, në një konferencë për mediat u shpreh se e pranon konkurrencën me Poketinon për të ardhmen në krye të stolit. “Ka shumë spekulime që Poketino mund të bëhet trajner i Mançesterit. Ai po bën një punë shumë të mirë te Totenhem, kështu që të gjithë e duan. Mund ta dojë edhe Mançesteri për meritat e tij”, u shpreh Solskjaer. /Erjon Allaraj-VipSport.al/