Shtubina: Diferencën e bën grupi, mirëpresim përforcimet te Laçi!

Ndriçim Shtubina është një nga “veteranët” e Laçit, një lojtar shumë i rëndësishëm në këtë kampionat, ku shkodrani ka shënuar gola vendimtare dhe i ka ardhur në ndihmë stafit teknik, duke mbuluar pozicione të ndryshme në fushë.

Shtubina ka pasur për “Supersport” për përgatitjet e skuadrës kurbinase për gjysmën e dytë të kampionatit. Ai ka theksuar me modesti se është grupi që bën diferencën, ndërkohë që mirëpret përforcimet në skuadër:

“Faza dihet që ka ngarkesat e veta dhe skuadra është e ngarkuar maksimalisht. Jam mësuar me shumë trajnerë dhe kam marrëdhënie të mira me të gjithë. Bëj punën e duhur në fushë dhe i respektoj trajnerët me punën time. Futbolli është që asnjëherë nuk duhet të dorëzohesh, por të vazhdosh përpara.

Kam diçka pozitive, luaj në shumë pozicione në fushë. Kjo është gjë e mirë për mua, sepse për çdo vend që hapet në formacion, jam i gatshëm. Kemi zhvilluar dy faza deri diku të mira, por kemi mundësi për më shumë.

Në përgjithësi, është grupi që bën diferencën. Çdo skuadër kërkon përforcime dhe me këtë problem merren drejtuesit. Unë do të thosha se çdo futbollist është i mirëpritur te Laçi. Me punë dhe djersë ata mund ta arrijnë formacionin”. / Vipsport.al