Shkëndija i bën nder Superiores, lë të lirë mbrojtësin që e ndjekin të gjithë

Disa klube të Superiores mund të kenë një alternativë më shumë për prapavijën e tyre pasi u ka bërë nder Shkëndija e Tetovës duke u lënë të lirë një lojtar me eksperiencë. Klubi tetovar bëri të ditur se ka ndërprerë bashkëpunimin me mbrojtësin Mevlan Adili.

“Mevlan Adili nuk është më futbollist i Shkëndijës. Klubi dhe futbollisti kanë firmosur ndërprerje të parakohshme të kontratës, duke zyrtarizuar ndarjen 6 muaj para skadimit të marrëveshjes. Ka qenë vetë mbrojtësi 24 vjeçar që ka kërkuar largimin në mungesë të hapësirave për lojë dhe kryesia e klubit ka treguar mirëkuptim për situatën e krijuar në kushte kur qendra e mbrojtjes duket e garantuar për dy futbollistë me status reprezentuesish”, shkruhej në njoftimin e klubit të Shkëndijës që njoftonte ndërprerjen e marrëveshjes mes palëve.

Për Adilin gjatë periudhës së fundit janë interesuar disa nga klubet e Superiores të cilat kërkojnë të përforcojnë prapavijën për pjesën e mbetur të këtij edicioni. Emri i tij është përmendur si në Kamëz, ashtu edhe në Laç, por duke parë këtë mundësi që është shfaqur, nuk është aspak çudi që edhe klube të tjera kryesore të bëjnë hapa para për të siguruar 24-vjeçarin i cili pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar i ndarë mes skuadrave të Shkupit e Shkëndijës. /vipsport.al/