Shkëmbi: Ja ngërçi me Arapin, Teuta do të jetë më e fortë

Bledi Shkëmbi dhe Teuta janë duke e zhvilluar fazën përgatitore në kushtet e shtëpisë. Megjithatë, deri më tani çdo gjë ka shkuar më së miri për durrsakët. Lojtarët janë duke i përballuar më së miri ngarkesat, po luajnë miqësore dhe natyrisht nuk mungojnë afrimet e studiuara anë merkato. Para mikrofonit të “RTSH Sport”, Shkëmbi zbulon edhe problemet që Teuta po has në negociatat për të rikthyer në Durrës një “ish” si Renato Arapi.

Përgatitjet

“Gjysma e kampionatit të parë ka qenë e mirë, e dimë se kampionati sa vjen e vështirësohet. Merkato? Deri në këto momente, është vetëm Frashëri që është afruar. Kemi kohë që me Frashërin kemi shprehur dëshirën dhe kemi gjetur marrëveshjen me Kamzën dhe natyrisht që është një afrim që na bën punë sepse e njeh Superioren”.

Merkato

“Për momentin, do të vazhdojmë me këtë grup që kemi, vetëm nëse vjen një lojtar më i mirë se këto që kemi dhe atëherë mund të ketë disa ndryshime në ditët në vijim”.

Arapi

“Arapi? Kanë dëshirë të dyja palët që ky transferim të kryhet, por nuk ka asgjë konkrete. Ka disa probleme me klubin turk dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë. Deri më tani, nuk ka asgjë konkrete. Në media mund të ketë shumë emra, por deri tani jemi këto që jemi”.

Ambiciet

“Nga java e parë deri në javën e 18-të nuk mund të mbash të njëjtin ritëm ose nivel loje, por deri më tani kemi bërë mirë. E rëndësishme është që nga java në javë të përmirësohemi dhe të bënin mirë. Do të punojmë më shumë që të bëjmë më mirë në dy fazat e mbetura”,-  tha në fund të prononcimit, trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi.

E.S./Vipsport.al/