Shehi: Jemi në krizë në mesfushë, nuk besoj se do godasim në shenjë në merkato

Orges Shehi duket se është i ndërgjegjshëm se i duhet të improvizojë për të rregulluar lojën e skuadrës së tij me lojtarët që ka, edhe pse numri i tyre po ulet nga dita në ditë për shkak të dëmtimeve. Trajneri i Skënderbeut ka pranuar se ndeshja e sotme ndaj Bylisit ishte e vlefshme për lojën e ekipit, por gjithsesi kjo ishte një anë e medaljes për suksesin.

“Në shërbeu në aspektin e kondicionit fizik meqë jemi ende në minifazë, për mënyrën e të shprehurit të lojës, të luajturit, na shërben në anën taktike. Çunat u shprehën mirë në atë që i kërkuam, sidomos në pjesën e parë përveç disa minutave, pjesa tjetër ka qenë shumë e mirë. Jam i kënaqur me çfarë prodhuan, pastaj kush ishte mori minuta në pjesën e dytë”, tha ai.

Problemi në këtë pikë është se numri i të dëmtuarve sa vjen e rritet dhe të gjithë janë nga i njëjti repart. Por Shehi nuk beson se në janar mund të gjenden alternativa po aq cilësore për të mbuluar këto mangësi.

“Na shtohen dëmtimet, fati i keq i yni, që Demte do të na mungojë gjatë. Për fat të keq dëmtohet Bregu, sot Lulaj. Kërkonim në merkato dy përforcime, do të kërkojmë më shumë, por kam frikë dhe nuk kam besim se mund të gjejmë për pak kohë sa kemi e të godasim në shenjë, se kjo dritare e hapur në janar lë pak mundësi zgjedhje.

Ne kemi nevojë për lojtarë në mesfusha, është emergjenca jonë e madhe. Me dëmtimin e Bregut mund të duhet lojtar tjetër. Megjithatë, epiqendra e përqendrimi ynë do të jetë në mesin fushës. Duke qenë kohë merkatoje përmenden shumë emra por unë do ta quaja të konkretizuar ose të përfunduar vetëm kur ta shoh këti nën urdhrat e mia dhe stafit tim në stërvitje”, tha Shehi. /vipsport.al/