Selmani: S’më tremb konkurrenca, duam Evropën edhe këtë sezon

Laçi ka në portë një nga portierët me perspektivë në vend që është bërë edhe pjesë e Kombëtares sonë, Gentian Selmanin. Ndonëse i ri në moshë, ai tashmë ka fituar eksperiencë, pasi po luan te bardhezinjtë prej 4 sezoneve, e madje si titullarë që në moshën 17-vjeçare. Në një prononcim që ka dhënë për “Supersport”, Selmani ka folur për fazën përgatitore dhe ambiciet që ai dhe skuadra kanë në vijim: “Po zhvillojmë një fazë të mirë, duke u stërvitur me nga dy seanca dhe shpresoj që të kemi një formë sa më të mirë gjatë kampionatit. Duhet të japim 100 % këtu në fazën përgatitore, për të qenë në formën më të mirë dhe për të ndihmuar skuadrën në arritjen e objektivave”, – deklaroi Selmani.

Konkurrenca

Selmani ka pasur oferta, ndërsa Laçi duket se ka menduar që t’i gjejë menjëherë edhe zëvendësuesin nëse largohet. Te kurbinasit, pak ditë më parë nënshkroi Sali, portieri i dytë i Flamurtarit. “Nuk mendoj për oferta, pasi për momentin jam pjesë e Laçit dhe do respektoj deri në fund klubin. Konkurrenca është e mirë për çcdo portier dhe për çdo lojtar, dhe të jem motivim më të madh. Unë nuk kam frikë dhe jam gati të jap më të mirën”, – tha portieri kurbinas.

Objektivat

“Ne si synim gjithmonë me trajnerin kemi vendosur që t’i japim rëndësi ndeshjes së radhës. Jemi në garë për një vend në Europë, si nga kampionati, ashtu edhe nga Kupa, ndaj shpresoj që ta arrijmë këtë objektiv nga njëri front”, – tha Gentian Selmani.

E.S./Vipsport.al/