Sadiku: Jam gati që të luaj, zhgënjimet në Poloni e Spanjë më japin forcë

Armando Sadiku nga dita e nesërme do të jetë rregullisht në fushën stërvitore me Luganon, ekip ku transferohet pas eksperiencave aspak të mira që përjetoi në një vit e gjysmë që kur u largua nga ky klub në verën e vitit 2017.  Ai ka garantuar të gjithë tifozët se është gati për të luajtur dhe shpreson që ta bëjë një gjë të tillë duke u kthyer në nivelet me të cilët kishte shkëlqyer pikërisht dy edicione më parë.

“Jam i lumtur që kthehem në Lugano. Pas atyre muajve që kam kaluar, jam mirë edhe fizikisht, dua të jap gjithçka për skuadrën. Janë 5 muaj e gjysmë që po bëj terapi për dëmtimin në gju. Stërvitem prej një muaji me Levanten, ndaj jam gati për të luajtur. Shpresoj që të kthehem të luaj në nivelin e dy viteve më parë. Sapo kam folur me disa prej lojtarëve dhe ambienti është fantastik si gjithmonë. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë. Uroj që të kemi edhe fatin me vete”, tha ai për mediat zvicerane.

“Eksperiencat jo edhe aq të suksesshme në Poloni dhe Spanjë më japin më shumë forcë dhe më shtyjnë që të kthehem në nivelet e mëparshme. Falënderoj klubin që ka bërë këtë sforco që të më kthente këtu, sidomos presidentin. Jam i lumtur që jam këtu dhe do të bëj gjithçka që të kthehem në nivelet ku kam qenë.

Shpresojmë që të bëj ato gola që kanë munguar por sidomos e rëndësishme është që si skuadër të shkojmë sa më larg në kampionat e kupë se ekzistojnë mundësitë. Unë do të bëj gjithçka për të shënuar, por edhe për të ndihmuar skuadrën që të bëjë rezultate të mira”, deklaroi sulmuesi i përfaqësueses shqiptar i cili me sa duket do të jetë gati për ndeshjet e marsit që kuqezinjtë do të luajnë në kualifikueset e Euro 2020. /vipsport.al/