Rrëfimi për ‘VipSport’/ “Jeta në Belgjikë, Superiorja dhe një rikthim i mundshëm”, Guri i thotë të gjitha

Golat e shumtë dhe paraqitja me Kukësin në Superiore, bënë që Sindrit Guri të hidhte hapin e madh në karrierë duke firmosur me Ostenden në kampionatin belg, aty ku e nisi mirë, por me kalimin e kohëve, gjërat ndryshuan disi për të. Fajin për këtë ndryshim, ku po mungojnë golat dhe minutat, Guri ia faturon vetes së tij, duke u shprehur se e kishte menduar të lehtë dhe nuk e kishte vlerësuar si duhet.

Në një rrëfim për ‘VipSport.al’, sulmuesi shkodran ka folur për marrëdhënien që ka me drejtuesit e skuadrës, jetën që po bën në Belgjikë dhe natyrisht, Kategorinë Superiore ku ka bërë edhe një rezyme të skuadrave pretendente. Sa i përket Kombëtares, Guri ka pak për të folur.

Sindrit, pas një fillimi të mirë duket se ndryshuan disi gjërat. Çfarë ndodhi?
Nuk është se ndryshoi ndonjë gjë, thjeshtë ishte gabimi im sepse mendova se do ta kem të lehtë por nuk ndodhi ashtu. Kjo gjë, mendoj se më ka bërë më të fortë dhe po punoj çdo ditë që të arrij formën time më të mirë dhe të shkoj aty ku më takon të jem.

A keni pasur kontakte me drejtuesit në lidhje me të ardhmen apo dhe pritshmëritë?
Flasim vazhdimisht si me trajnerin ashtu dhe me drejtorin sportiv. Ata presin shumë nga unë dhe asnjëherë nuk dyshojnë te aftësitë e mia, por ka ardhur koha t’ua shpërblej besimin.

Na fol pak për jetën në Ostende. Çfarë ka ndryshe nga Shqipëria?
Në fakt bëj të njëjtën jetë sepse dhe në Tiranë, kohën e lirë e kam shpenzuar me familjen. Vetëm se, këtu mund të lëviz shumë më tepër kur kam pushime sepse kam shume shtete afër.

Çfarë të pëlqen në atë qytet dhe çfarë të bezdis?
Më pëlqen se e kam shtëpinë shumë afër detit dhe është një qetësi që unë e pëlqej shumë, por të them të drejtën më bezdis shumë era sepse këtu fryn shumë erë e fortë.

A je ambientuar me ekipin e Ostendes?
Tani të them të drejtën, plotësisht… Nuk është asnjëherë i lehtë ambientimi, sidomos për mua që është hera e parë që bëj pjesë në një ekip jashtë Shqipërisë.

A vazhdon ta ndjekësh Superioren?
Po, zakonisht kur nuk kam stërvitje ose ndeshje dhe kam kohë të lirë, e ndjek.

Si i sheh skuadrat këtë sezon? Kush e fiton titullin?
Shoh një Partizan të mirë-organizuar dhe që ka cilësi brenda. Shoh një Kukës që ka dëshirë për të fituar, e po ashtu kanë dhe shumë cilësi. Mendoj se edhe Teuta dhe Flamurtari nuk ngelen mbrapa, por gjithsesi them se Kukësi do të shpallet kampion sepse i ka lojtarët dhe ka shumë eksperiencë brenda.

Në ndryshim me Superioren ku shënoje pafund, në Belgjikë duket se është e vështirë. A mund të themi se Superiorja po mbivlerësohet?
Diferencat janë te mëdha të them të drejtën. Vetëm kush e provon mund teë flasë tamam. Nuk mund të them se mbivlerësohet sepse shumë e dinë për nivelin që ka, por një gjë është e sigurt: Po vjen duke u rritur nga viti në vit.

Do të kishit pranuar një rikthim në Superiore, qoftë si huazim për të rigjetur formën?
As nuk e mendoj, sepse këtu kanë shumë besim te unë dhe po presin çdo ditë nga unë. Shpresoj të kap formën time sa më shpejtë dhe të arrij aty ku unë dua dhe të tjerët presin.

Po me Panuçin, a keni pasur kontakte gjatë kësaj kohe?
Jo, asnjë lloj kontakti. /Erjon Allaraj-VipSport.al/