Premtimi i kapitenit Karabeci: Përgatitemi për diçka ndryshe nga pjesa e parë

Erando Karabeci mendon se Tirana e pjesës së dytë të sezonit nuk do të jetë si ajo e fillimit të këtij edicioni ne Superiore, kur rezultatet kanë qenë zhgënjyese e bardheblutë kanë mbetur shumë larg çdo lloj diskutimi për trofe apo zonën e Europës.

Pas miqësores së sotme kundër Skënderbeut, të cilën bardheblutë e humbën 2-1, kapiteni tregon se ekipi ka dhënë sinjalet e para të reagimit dhe se në pjesën e mbetur, do të ishte një Tiranë tjetër.

“Është një ndeshje miqësore, nuk është se vërteton gjithçka. Por ne jemi duke u përgatitur për një sezon ndryshe nga ai që zhvilluam në fazën e parë të kampionatit”, tha Karabeci për RTSH.

“E dimë që nuk kemi pasur një paraqitje dinjitoze dhe normalisht jemi të vetëdijshëm për këtë gjë. Por mundohemi që të përgatitemi maksimalisht që në këtë pjesë të dytë të jemi një ekip më ndryshe dhe të kthehemi te fitoret dhe rezultatet që na takojnë ne si ekip”, tha ai. /vipsport.al/