Policia amerikane vazhdon hetimet ndaj Ronaldos, tani kërkohet ADN nga lojtari

Kristiano Ronaldos i është kërkuar që të dorëzojë ADN-në e tij si pjesë e hetimit nga policia e Las Vegas për akuzën e përdhunimit të ngritur nga ish-modelja Kethrin Majorga e me sa duket ylli portugez i Juventusit ka pranuar që të bëjë një gjë të tillë.

Policia ka rihapur çështjen e vjetër të Majorga, e cila akuzoi Ronaldon se e ka përdhunuar në një dhomë hoteli në vitin 2009. Ajo kishte bërë denoncim në polici edhe atëherë, por nuk kishte treguar emrin e futbollistit nga frika se mos do të përballej me pasoja. Ish-modelja kërkoi rihapjen e hetimeve, pasi avokatët e saj argumentuan se nuk kishte qenë në gjendje e duhur emocionale dhe mendore kur kishte pranuar një çek prej 375 mijë dollarësh për të mbyllur gjithçka.

TMZ raportoi se policia amerikane kishte kërkuar zyrtarisht nga Ronaldo një analizë të plotë ADN-je për ta krahasuar me atë që ekzistonte në provat e tyre të çështjes së 10 viteve më parë dhe portugezi ka pranuar. Avokatët e tij kanë argumentuar gjithashtu se bashkëpunimi i Ronaldos me autoritetet tregon edhe një herë se ai është i pafajshëm. /vipsport.al/