Polemika për blerjen e re të Barcelonës dhe akuza: Janë arrogantë!

Kalimi i Zhan Kler Todibo te Barcelona dhe zyrtarizimi nga katalanasit i afrimit të talentit 19-vjeçar duke filluar nga sezoni i ardhshëm, nuk ka kaluar pa polemika. Olivier Sedran, Presidenti i Tuluzës, klub ku aktualisht luan lojtari, nuk ka pëlqyer faktin se Barcelona e bëri që tani lajmërimin e transferimit të tij në fund të sezonit.

“Lojtarin e kanë këshilluar keq dhe Barcelona nuk veproi në nivelin e saj”, tha ai në mediat franceze ku i cilësoi katalanasit si “arrogantë” për mënyrën se si kishin vepruar. Ai zbuloi se e kishte mësuar nga mediat për firmën në kontratë me Barcelonën të futbollistit të tij dhe mendon se kjo ka qenë e gabuar, pasi lojtari në këtë moshë të re kishte pak mundësi të tregonte veten te Barcelona.

“Nuk është e lavdishme që gjëra të tilla të bëhen nga një klub i madh, edhe pse kishin juridikisht të drejtë të vepronin kështu”, shpjegoi ai. “Todibo është një lojtar që ka shumë cilësi, por thuajse nuk ka eksperiencë”, paralajmëroi presidenti i Tuluzës. /vipsport.al/