Nuk ndalen problemet për Luftëtarin, shpresa e mbijetesës mendon largimin

Në krahasim nga dy sezonet e fundit, Luftëtari i këtij viti është pasqyrimi më i keq i atij Luftëtari që ishim mësuar të shihnim. Përveç mungesës së rezultateve, bluzinjtë po kalojnë edhe një moment mjaft negativ në aspketin financiar dhe organizativ.

Pak ditë më parë, u mor vendimi që bluzinjtë ta kryenin fazën përgatitore në Gjirokastër, duke qenë se moti ishte i rënduar në Greqi. Por, edhe Gjirokastra është përfshirë nga reshje të dendura dëbore dhe në kushte të tilla, stërvitja po bëhet në palestër. Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga rikthimi i Superiores, trajneri Gentian Mezani e sheh situatën në gjendje kaotike.

Futbollistët nuk po arrijnë të stërviten normalisht duke humbur shumë nga rendimenti i tyre dhe ‘Supersport’ raporton se tekniku vlonjat po mendon largimin. Ai erdhi te Luftëtari gjatë fazës së parë duke e marrë skuadrën në kuotën e 0 pikëve dhe shihet si trajneri që mund t’i shpëtojë prej rënies nga Kategoria, por mesa duket, edhe kjo shpresë që kishte mbetur, mund të largohet shumë shpejtë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

more recommended stories