Nuk ka paqe për Riberi! Pas polemikave dhe supergjobës vjen edhe dëmtimi

Frank Riberi duket se nuk po gjen dot qetësi në këtë periudhë të vitit. Polemikat e tij në rrjetet sociale me fyerje të ekzagjeruara ndaj atyre që e kishin kritikuar për biftekun e famshëm të larë në ar, janë shoqëruar me një tërheqje vëmendje nga Bajern Mynih dhe një supergjobë.

Sot, erdhi edhe kapitulli tjetër i këtij fillimviti për t’u harruar. Futbollisti francez ka lënë në mes stërvitjen e sotme në Katar për shkak të një dëmtimi të pësuar në ndeshjen brenda grupit që u zhvillua me dyer të mbyllura. Edhe pse klubi bavarez nuk kishte bërë ndonjë komunikatë rreth kësaj ndeshje testuese, mediat gjermane kanë zbuluar dëmtimin e Riberi.

Sipas tyre, ai ka marrë një dëmtim në pulpë dhe do të mungojë për dy javët e ardhshme, duke mos qenë në gatishmëri për Kovaç në rifillimin e kampionatit pas më pak se 10 ditësh. /vipsport.al/