Në Rusi e bëjnë fakt të kryer: Gavazaj është i larguar nga Jenisei

Enis Gavazaj duhet të gjejë sa më shpejt një sistemim të ri, pasi te Jenisei duket se nuk ka vend për të, me apo pa dëshirën e klubit të Skënderbeut për ta kthye në bazë. Mesfushori ka humbur edhe kombëtaren prej mosaktivizimit dhe në ditët e kaluara është diskutuar gjerësisht hipoteza për kthimin e tij te korçarët për pjesën e mbetur të sezonit.

Këtë e përforcoi edhe një deklaratë e drejtorit sportiv të klubit të Jenisei, i cili tha se Gavazaj ishte pranë kthimit në klubin e tij të vjetër. “Vulën” ia kanë venë edhe imediat ruse, të cilat kanë publikuar listën e atyre futbollistëve të cilët pritet t’i japin lamtumirën kampionatit rus gjatë janarit.

E përditshmja ruse “Sport-Ekspres” ka përpiluar një listë me lojtarët të cilët ajo ka mësuar nga klubet përkatëse, se u kanë prishur kontratat apo u është bërë e ditur të kërkojnë një klub tjetër ku të transferohen. Sipas saj, Enis Gavazaj është një prej 3 emrave që do të largohen nga Jenisei, pasi klubi nuk e sheh më si të nevojshëm për pjesën tjetër të sezonit ku do të synojë mbijetesën në elitën e futbollit rus.

Për Gazvajn, i cili nuk ka luajtur rregullisht, gjetja e një ekipi të ri jashtë do të ishte një problem i madh pasi nuk ka pasur mundësinë të tregojë realisht vlerat e tij. Si rrjedhojë, kthimi te Skënderbeu deri në mbyllje të sezonit bëhet zgjidhja më e mirë për momentin, duke menduar se korçarët kanë nevojë edhe me shumë për një përforcim të tillë pas dëmtimit të Bregut. /vipsport.al/